Duke besuar se parlamenti i sotëm nuk është ai i vitit 2004 kur u rrëzua projekt-rezoluta e parë për çështjen çame, PDIU ka zgjedhur Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut për të depozituar një projekt-rezolutë për këtë çështje.
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi i shoqëruar nga deputeti tjetër i kësaj partie, Dashamir Tahiri pasi dorëzuan draftin pranë kryesisë së Kuvendit tha se rezoluta nuk synon luftë me Greqinë, por kërkon të bëjë pikërisht të kundërtën, shfuqizimin e ligjit të luftës dhe vënien në vend të një të drejte ndërkombëtare siç është ajo e pronës.
“Ne nuk po kërkojmë t’i shpallim luftë Greqisë, por po kërkojmë që të hiqet ligji i luftës, një ligj absurd që prek jo vetëm pronat e shqiptarëve të Çamërisë, por edhe të gjithë shqiptarëve që kanë patur prona në terriotrin grek”, tha zoti Idrizi.
Por a do të kushtëzojë PDIU qëndrimin në qeveri me qëndrimin e mazhorancës ndaj kësaj resolute?
“Çështja çame nuk është një çështje që duhet futur në raporte apo axhenda politike, prandaj ne do t’i drejtohemi ndërgjegjes kombëtare, po u drejtohemi parlamentarëve dhe padyshim që qëndrimi ynë i mëtejshëm do të varet nga qëndrimi i tyre karshi rezolutës për Çamërinë”, u përgjigj kreu i PDIU-së.
Drafti i rezolutës i cili u publikua një ditë më parë, përmban përveç referimit historik dhe ligjor edhe trembëdhjetë kërkesa zyrtare që Kuvendi i Shqipërisë, do t’i adresojë ndaj institucioneve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare.
Kjo është përpjekja e dytë e deputetëve përfaqësues të komunitetit çam që sjellin në parlament një rezolutë për mbrotjen e kësaj çështjeje. E para, në vitin 2004 nuk u miratua nga parlamenti i atëhershëm, ndërsa ky draft i ri vjen në këtë vit që vendi mbush 100 vjet Pavarësi dhe ku tonet patriotike në politikën vendase janë bërë më të dukshme.
Top Channel