Homazhet e grekëve, incidente në Këlcyrë

28/10/2012 00:00

Përkrahës të PDIU-së, AK-së, Vetëvendosjes dhe Grupimit të Patriotëve të Rinj janë tubuar në Këlcyrë paralelisht mbajtjes së homazheve në varret e ushtarëve greke të rënë gjatë luftës italo-greke.

Fillimisht protestuesit kanë deklaruar se nuk do të lejojnë kalimin e neonazistëve greke të kryejnë përkujtimore në varret e banorëve shqiptarë të Kosinës.

Admir Dida
, i klubit “Patriotët e Rinj”, nënvizoi: “Jemi të vendosur të mos lejojmë zhvillimin e një aktiviteti nga persona që dhunojnë dinjitetin e shqiptarëve. Tallja që bëhet me eshtrat e shqiptarëve të Kosinëns nuk duhet lejuar nga shteti ynë.

Rezar Balla
, sekretar i marrëdhënieve me publikun në AK, theksoi: “Aleanca Kuqezi ka ardhur këtu për të kundërshtuar me forcë vizitën e çdo personaliteti grek që vjen në Shqipëri për të shkaktuar tensione dhe probleme me pakicat etnike.”

Liburn Aliu
, deputet i Vetëvendosjes, u shpreh: “Ne si Vetëvendosje kemi ardhur në Këlcyrë për të penguar simbolikisht zhvillimin e fashizmit. Kjo nuk ka të bëjë me popullin grek, por me fashistët grekë të cilët duan të tregojnë superioritetin e tyre ndaj shqiptarëve.”

Rreth orës 09.45, siç ishte paralajmëruar prej konsullatës greke, ambasadori grek në Tiranë, drejtues të PBDNJ-së, përfaqësues të qeverisë greke dhe 4 autobusë me persona të mbërritur nga Greqia për homazhet, kanë kaluar urën e Dragotit për të vizituar manastirin e Këlcyrës ku gjenden rreth 70 varre të zbrazur në pritje për rivarrosjen e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke.

Protestuesit kanë goditur me gurë dhe vezë automjetet e përfaqësuesve të ambasadës dhe 4 autobusët e mbërritur nga Greqia në urën e Dragotit. Kreu i PBDNJ-së i ka etiketuar si “të paguar” personat që protestuan, ndërsa përfaqësues të protestuesve kanë reaguar menjëherë ndaj deklaratave.

Vangjel Dule tha: “Nëse konsideroni tubim 20-30 të rinj që janë paguar 50 mijë lekë të vjetra dhe dy sanduiçe, atëherë nuk jemi në të njëjtën frekuencë.”

Ndërsa Admir Dida u kundërpërgjigj: “Vangjel Dule është mësuar të blejë me para’ vota dhe identitete e prandaj mendon se të gjithë bëjnë kështu. Ne përfaqësojmë ata individë të cilët protestojnë për kombin e tyre.”

Policia ka siguruar mbajtjen në distancë të protestuesve, ndërsa ceremonia përkujtimore është mbajtur menjëherë pas meshës së përshpirtjes për ushtarët që prehen në Këlcyrë.

Autoritetet greke kanë evituar deklaratat gjatë ceremonisë, ndërsa në homazhe nuk kanë marrë pjesë përfaqësues të Agimit të Artë, ardhja e të cilëve ishte paralajmëruar 2 ditë më parë nga AK-ja.

Një ceremoni fetare është organizuar në fshatin Bularat ku kanë marrë pjesë edhe 4 përfaqësues të partisë ekstremistre të Agimit të Artë. Reshjet e shiut kanë penguar pjesën ceremoniale të fjalimeve, por pa penguar zhvillimin e saj.
 
Ndërkohë, gjatë këtij organizimi nuk kanë marrë pjesë përfaqësues të grupimeve shqiptare që organizuan protestën e Këlcyrës.

Top Channel