Aktivistët e Aleancës Kuqezi bllokuan kalimin në Urën e Dragotit në Tepelenë, për të penguar kalimin atje të përfaqësuesve të partisë së ekstremit të djathtë grek, Agimet e Arta.

Ishte lajmëruar se në ceremonitë që do zhvilloheshin në Këlcyrë të
Përmetit do merrnin pjesë edhe aktivistët ekstremistë grekë për të
përkujtuar ushtarët grekë të rënë në luftën italo-grekë.

Disa dhjetëra mbështetës të Aleancës Kuqezi u grumbulluan për disa orë
në Urën e Dragotit për të protestuar ndaj “marshimit të fashistëve grekë”,
siç i etiketuan ata drejt territorit shqiptar, përfaqesuesit e
ekstremit të djathtë grek “Agimi i Artë”.

Protesta u mbajt ndërsa këtë fundjave mbahen ceremonitë përkujtomore në varret e ushtarëve grekë në Këlcyrë dhe Bularat. Protesta e paralajmëruar në vigjilje të ditës përkujtimore të luftës italo-greke ka qenë e qetë dhe e shoqëruar me simbole kombëtare. Ura e Dragotit dhe faqja e kodrës ishin mbuluar me flamuj kombëtarë, ndërsa e gjithë zona ishte siguruar me forca të shumta policie.

“Këta fashistë vijnë këtu në territorin shqiptar çdo vit, për të bërë pelegrinazh antishqiptar. Aleanca Kuqezi kërkon që të respektohet në kufi reciprociteti, ashtu si ndodh me çamët të ndodhë edhe me shtetasit grekë. Kuqezinjtë e Këlcyrës urdhërojnë që këta manifestues grekë, nëqoftëse nuk e bëjnë do të përballen me furinë e kuqezinjve të Këlcyrës”, thotë Augen Xhaferraj, përfaqësues i AK-së në Këlcyrë.

Dita e “jo”-së që Greqia i ktheu Italisë gjatë Luftës së Dytë Botërore e që pasoi me luftën mes dy vendeve, por që u zhvillua në kufirin shqiptaro-grek, përkujtohet me ceremonitë në varrezat e ushtarëve grekë.

Në Këlcyrë është zhvilluar një nga betejat më të mëdha mes ushtarëve grekë dhe italianë dhe në këtë qytezë të vogël të rrethit Përmet nisin ceremonitë përkujtimore që përfundojnë në Bularat, ku ndodhet një varrezë e ushtarëve grekë.

Top Channel