Dënohet me burg ish-mazhordomi i Papës

06/10/2012 15:40

Ish-mazhordomi i Papa Benediktit XVI, Paolo Gabriele, është shpallur fajtor për vjedhje të dokumentave konfidenciale nga ati i shenjtë dhe është dënuar me 18 muaj burg.

Prokurorët kërkuan një dënim 3-vjeçar, por dënimi u reduktua për shkak të “rrethanave lehtësuese”. Duke folur përpara vendimit, mazhordomi deklaroi se kishte vepruar për hir të dashurisë së tij për Kishën dhe se nuk e shihte veten si hajdut.

Gabriele mohoi akuzat për vjedhje të dokumentave, por pranoi se i kishte fotokopjuar ato dhe se “kishte tradhtuar besimin e atit të shenjtë”.

Avokatja e Gabriele kishte kërkuar që dënimi të reduktohej edhe më tej, por më vonë ajo e cilësoi vendimin si “të mirë dhe të balancuar”.

Christina Arru tha më vonë se nuk ka ndërmend ta apelojë vendimin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”. Agjencia citon avokaten që ka thënë se, zoti Gabriele ishte i qetë dhe gati të pranonte pasojat e veprimeve të tij.

Ndërkohë, zëdhënësi i selisë së shenjtë të Vatikanit, at Federico Lombardo deklaroi se ka të ngjarë që Gabriele të falet nga Papa Benedikti, por nuk saktësoi se kur kjo mund të ndodhë.

Ish-mazhordomi akuzohej se ka nxjerrë dokumenta sekrete të Vatikanit duke ia dhënë një gazetari italian, që ka publikuar një libër që shan selinë e shenjtë.

Megjithatë, korrespondenti i BBC në Romë, David Willey thotë se mediat zyrtare të Vatikanit e kanë injoruar tërësisht gjyqin dhe në buletinet e mëngjesit nuk e kanë përmendur fare atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA