Sarandë, 3 mijë vizitorë në Galerinë e Arteve

22/09/2012 00:00

Galeria e Artit në Sarandë u çel për herë të parë këtë verë me
iniciativën e 6 autorëve të këtij qyteti.Galeria përmbledh  72 vepra në
pikturë dhe skulpturë, krijime të viteve të fundit dhe shumë llojshmëri
stilesh teknikash dhe materialesh.

Pikturat janë të realizuara ne vaj, akuarel, kolazh dhe materialet e përdorura për skulturë nisin me bronxin, drurin e gurin e vijojnë me mermerin. Të 6 artistët të larguar për vite me rradhë në emigracion rezultojnë të kenë një karrierë të pasur artistike dhe dhjetëra ekspozita në vende të ndryshme të botës. Autorët kanë sjellë në këtë galeri – ekspozitë shumë kujtime të fëmijërisë së tyre, perceptime nostalgjike të së kaluarës , njëherazi elementë  ëndërrimtarë  dhe futuristë. Galeria ka vepra me subjekt mitologjik dhe shumë imazhe të artit ekspresionist dhe atij abstrakt.

Punimet ‘Hapa dhe hije’, ‘Nëna’, ‘Zeusi’, ‘Mëngjes’, ‘Nëna e Peshkatarit’, ‘Fëmijë’ dhe shumë vepra të tjera kanë zënë vend në librin e përshtypjeve të galerisë ku impresionet i gjen në të gjitha gjuhët. Galeria e cila u vizitua në 3 muajt e verës nga rreth 3000 vizitorë shqiptarë dhe të huaj do të mbetet e hapur dhe pritet të pasurohet me vepra të tjera gjatë fundvitit.

Vetë autorët  e kanë parë këtë Galeri si një detyrim ndaj  vendlindjes ndërsa është dashur edhe finacimi i Bashkisë së qytetit për ta shndërruar mjedisin,nga  një ish-tavernë peshku në hapësirë ku ekspozohen vepra arti sipas stilit bashkëkohor.
 

Top Channel