“Austrian…”, bingo me lotarinë

17/09/2012 19:30

Ministria e Financave ka shpallur zyrtarisht si fitues në tenderin e shumëpërfoulur të lotarisë kombëtare kompaninë austriake “Austrian Lottery”.

Dokumenti zyrtar, që është firmosur këtë të hënë nga ministri i Financave, njofton kompaninë austriake se aplikimi i saj është vlerësuar si aplikimi fitues.

Sipas njoftimit, kompania austriake është vlerësuar me 90.72 pikë, ndërsa kompania e dytë, konsorciumi “lto”, ka marre 76.5 pikë.

Shpallja fitues e “Austrian Lottery” ishte paralajmëruar nga disa kompani të skualifikuara që para se të zhvillohej tenderi, të cilat akuzuan qeverinë për një garë fiktive me fitues të paracaktuar.

Përmes këtij vendimi qeveria i jep kompanisë austriake monopolin dhjetëvjeçar të shtatë lojrave të fatit, kundrejt çmimit simbolik 3.5 milionë euro, një nga pikat më të dyshimta dhe të përfolura të këtij tenderi.

Qeveria e justfikoi proçedurën e shumëkundërshtuar të tenderit më dy argumenta. Së pari, që kështu do të ndalte hyrjen e kapitaleve të dyshimta në vend duke u dhënë mundësi të garonin vetëm kompanive serioze, pa probleme me drejtësinë.

Por ky argument u lëkund pak javë më parë kur “Austrian Lottery”, kompania fituese, u vu zyrtarisht në hetim nga Parlamenti austriak për qarkullim kapitalesh të dyshimta në politikë dhe blerje të politikanëve për të mbajtur monopolin në treg.

Argumenti i dytë i qeverisë ishte se çmimi i ulët i shitjes do të kompensohej përmes taksave, sipas saj të larta mbi kompaninë fituese. Por edhe ky pretendim rrëzohet kur taksat e vendosura mbi kompaninë në Shqipëri krahasohen me ato të vendeve të tjera.

Sipas krahasimeve, kompania austriake që tani do të ketë monopolin e pjesës dërrmuese të tregut të kumarit në Shqipëri do të paguajë taksa në buxhet dy herë më pak se sa paguan në vendin e saj, Austri.

Me vendimin e fundit të Financave, kompania austriake shpallet zyrtarisht si fituesja e lotarisë kombëtare në Shqipëri dhe brenda 30 ditësh pritet të zyrtarizojë edhe kontratën me qeverinë.

Ndërkohë që ky tender i shtohet listës së konkurseve të dyshimta dhe të shoqëruara me polemika të forta të qeverisë shqiptare me liçensat kombëtare.

Top Channel