Top Story: A ia vlejnë 850 mln euro për Albpetrolin?

13/09/2012 00:00

Një emision i përqendruar tek shitja e “Albpetrol”, “Top-Story” i ditës
së enjte i dedikoi të gjithë vëmendjen në pjesën e tij të parë ngjarjes
së rëndë të ndodhur gjatë pasdites, kur në afërsi të Sukthi u ekzekutua
me armë zjarri kryekomisari i policisë së Shijakut, Adem Tahiraj.

Në lidhje direkte me gazetarët e “Top-Channel” në terren, në studion e Sokol Ballës erdhën dëshmitë eksluzive dhe të dhënat e fundit në lidhje me ngjarjen e rëndë. Dëshmia e parë eksluzive ishte ajo e gruas së plagosur nga arma që i mori jetën komisarit të policisë.

Nga spitali ku ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Durrës, e moshuara u shpreh: “Hapa derën sepse doli burri kur dëgjova të shtëna. Atë (komisarin) e vranë tek porta. Nuk e di kush e vrau apo sa njerëz ishin, nuk shoh mirë ditën, jo më në ato kushte. Kujtova se më vranë burrin, kur dëgjova krismat, ndaj dola tek dera. Për fat të mirë ai shpëtoi. Kishte zhurma para të shtënave, por nuk di ndonjë gjë më shumë. Tek dera u plagosa. Nuk pashë asgjë”.

Nga burime jozyrtare, në studion e Ballës u soll edhe emri i të dyshuarit kryesor për vrasjen, një njeri me precedentë penalë dhe i dyshuar si autor i disa vrasjeve të tjera, Ilir Xhakja.

Ngjarja u komentua edhe nga të pranishmit në studio, deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu dhe nënkryetari i Partisë Socialiste, Erjon Braçe. “Kjo ngjarje është e vështirë të komentohet, është shumë e rëndë. Natyrisht është një goditje e shtetit nga krimi dhe përveç faktit që kemi humbur një njeri, një drejtues të policisë, është momenti që të ngremë opinionin kundër këtyre ngjarjeve, sepse nuk mund të parandalohen vetëm me forcën e policisë. Kërkojnë mbështetje të gjerë, përfshirjen e të gjithë publikut dhe dënimin maksimal për ngjarjen apo kriminelët. Ky është vetëm një moment reflektimi, përveçse ngushëllimi të familjes për këtë fatkeqësi. Rënia në krye të detyrës është një tragjedi e shumëfishtë, jo vetëm për kryefamiljarët, por edhe për drejtues e përfaqësues të shtetit. Nuk mund të gjesh fjalë për këtë që ndodhi, besoj se zbardhja në rastin konkret është gjëja më e kollajtë, sepse këto goditje bëhen nga kriminelë të njohur. Më e vështira është të ndërgjegjësohen të gjithë për luftën që duhet ndërmarrë ndaj krimit”, deklaroi zoti Shehu.

Nga ana e tij, Braçe komentoi: “E kam ndjekur ngjarjen nga ora 18.30, pas informacioneve të para për vrasjen. Natyrisht, dua të them disa gjëra. i bashkohem edhe asaj që tha zoti Shehu, ngushëllimeve për familjen e komisarit, bashkëshorten, vajzat, njerëzit e tij. Dua të them se kemi humbur jo vetëm një shërbëtor të shtetit, një prej oficerëve më të mirë, me kontribute të mëdha në policvinë e shtetit dhe sakrifica të mëdha. Sot, dua të them dhe këtë e kam personale, dua t’i shpreh mirënjohjen për shërbimin e tij veçanërisht në atë vend… E dyta, kryekomisari meriton vlerësim për faktin se pranoi të shërbejë atje ku krimi i organizuar ka gjetur parajsë, duke nisur nga veprimtaria ekonomike kriminale e deri tek këto grupe që të vrasin dhe përfaqësuesin e shtetit. E treta, kjo është një ngjarje e përsëritur dhe veçanërisht në Durrës, e thekson situatën e rëndë të krimit në atë rajon, me burim në atë zonë. Aty janë strehuar se aty nuk i ngacmon njeri. Së fundmi dua të them që natyrisht, kur ngjarjet përsëriten në frekuencë të shpeshtë, psikoza që krijohet tek njerëzit është e rëndë, por kur s’duhet të ndodhë ajo që po ndodh tani, ajo që zonja e plagosur thotë nuk pashë gjë. Të gjithë gazetarët e çdo media thonë të njëjtën gjë, nuk flet kurrkush nga mediat. Frika atje është ajo që dominon. Nuk mundet të garantohet jeta e qyteratëve, liria e tyre edhe ekonomike apo e jetës, vetëm me policë, që japin jetën për ata, por nuk gjejnë përkrahjen e komunitetit. Kjo ndikon në psikozë, në frikën e përgjithshme, por edhe në kostot qoftë për ekonominë vendore dhe në tërësi. Kostot e krimit rrisin kosott e biznesit. Kjo zonë dhe e gjithë Shqipëria duhet të çlirohet nga mafia dhe kjo nuk bëhet duke braktisur policinë në detyrë”.

Misteret e privatizimit të “Albpetrolit”: A mjaftojnë 850 milionë euro për pasurinë më të çmuar të shqiptarëve?

Duke kaluar tek tema e emisionit, ajo ekonomike-politike, Braçe dhe
Shehu u përqendruan tek “Albpetroli”, gjiganti i nxjerres së naftës, që
pas një stanjacioni disa-vjecar menaxhimi, kësaj radhe po privatizohet.

Procedurat nxorrën në pah një surprizë, një ofertë shumë të bukur për të qenë e vërtertë. Një konsorcium amerikan ofron 850 milioonë euro, gati një miliardë dollarë, 25% e buxhetit vjetor të Shqipërisë e nëse realizohet ky investim, do të jetë një bum I fortë për buxhetin e ardhshëm, jo vetëm sepse është një vit elektoral, por edhe sepse në 2013-n kriza pritet të japë efektet e saj më të forta.  

Duke komentuar enigmat e garancisë dhe financimit, por edhe vetë ofertën si një shenjë të besimit tek kjo qeveri, deputeti Shehu theksoi se “oferta në fjalë tregon se Shqipëria është shndërruar në një vend me interes të lartë investimi. Rëndësia që ka vetë sektori është strategjik, është një mall strategjik që ndikon edhe politikën botërore. Problemet teknike janë të rëndësishme, por duhen parë edhe për nga rëndësia që kanë. Hipoteza nëse banka ka dhënë garanci që mund të ekzekutohet nuk duhet të paragjykojë bankën, e cila nuk është midis 50 më të mëdhave në botë siç ishte parashikuar në kushte, por që mbetet gjithsesi një bankë e madhe dhe e fuqishme. Po t’i hyjmë diskutimit për kriteret, mendoj se ai është I diskutueshëm”.

Një qëndrim krejt të ndryshëm ndaj Braçe, I cili theksoi se asnjë shumë nuk mund të jetë e mjaftueshme për të “shitur” pasurinë më të madhe që kanë shqiptarët. Nënkryetari I PS-së denoncoi marrëveshjen e privatizimit, që nuk jep me koncension vetëm ndërmarrjet, por të gjithë burimet e pazbuluara të naftës në vend. “850 mln euro, duke lënë mënjanë misteret, nuk është një shumë që duhet të duartrokitet. Ky është privatizimi më I madh që po ndodh në Shqipëri jo vetëm për shkak të shumës, por sepse nafta është pasuria kryesore e shqiptarëve. Në Europë ka vende të tjera që kanë naftë në det, por ne jemi I vetmi që e kemi atë në truallin tonë. Problemet e këtij privatizimi është se I jepet e drejta privatizuesit që të ketë akses mbi të gjitha burimet që nuk janë gjetur ende. Abuzimi duket qartë se ndërsa këto të drejta për kromin, arin e të gjithë burimet e tjera minerare I jepen Agjensisë Kombëtare të Manaxhimit të Burimeve Natyrore, në rastin e naftës kjo e drejtë eliminohet dhe I jepet e gjitha privatizuesit”.

Deputeti demokrat, Sherefedin Shehu tha se të drejtat e kompanisë që do të blejë Albpetrolin do të jenë të kufizuara. Sipas tij nuk po shiten burimet natyrore, por po shitet investimi i bërë në pus. Nafta e posit është në kontratë shitjeje, thotë zoti Shehu.

Për ekonomistin Gjergji Filipi debate i nxehtë i politikës që po zhvillohet se me në qendër Albpetrolin, është i vonuar. Sipas tij, duhej të kishte patur një konsultim të gjërë më herët për të përcaktuar formulën e dhënies së këtij aseti të cmuar për shqiptarët: “Është një aset kombëtar shumë i rëndësishëm, dhe akoma më i rëndësishëm për mënyrën globale se si po marrin gjërat në botë. Është një aset që mund të ndihmojë Shqipërinë të ngjisë shumë shkallë në renditjen globale. Ky diskutim nuk gjeti vend në momentin kur u mor vendimi për formulën e privatizimit dhe është vendosur që privatizimi të bëhet 100 përqind”, tha zoti Filipi.

Ndërsa deputeti demokrat, zoti Shehu shtoi se arsyeja që Albpetrol është mbajtur nga shteti deri në këtë periudhë ka qenë politiko-sociale. Sipas tij, kompania punësonte 1800 njerëz në një zonë ku punësimi ishte problematik.

Pak ditë më parë, presigjozja britanike, The Economist bëri një analizë të situatës politiko-ekonomike të Shqipërisë. Sipas saj, vendi po shkon drejt një rotacioni politik në zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe shkak për humbjen e popullaritetit të qeverisë është ekonomia. Sa do të ndikojnë 850 milion euro, nëse do të shitet Albpetrol, në përmirësimin e ekonomisë së shqiptarëve dhe rritjen e kënaqësisë ndaj qeverisë në zgjedhjet e ardhshme? Ekonomiste Gjergji Filipi tha se edhe sikur të ndodhë që të gjitha këto para të injektoheshin në ekonomi, efekti në xhepat e shqiptarëve nuk do të ndjehej për të patur efekt në zgjedhjet e 2013. Sipas tij, koha nuk premton për këtë. Në përfundim të fjalës së tij, Filipi tha se privatizimi 100 pëqind i Albpetrol është një gabim, pasi shteti humb mundësinë për të kontrolluar kompaninë që do ta privatizojë, rrjedhimisht humb kontrollin mbi burimet dhe projektet energjitike strategjike.

Për deputetin, Erjon Braçe, privatizimi Albpetrol është në vazhën e privatizimeve të dështuara të kësaj qeverisjeje. Ai solli si shembul CEZ-in dhe Armo-n, tipike të dështimit, sipas tij.

Top Channel