Vrasja e 37-vjeçares,20 veta në përgjim

10/08/2012 00:00

Policia ngushton rrethin e të dyshuarve për vrasjen e 37-vjeçares
Fatbardha Tafa, mbrëmjen e së martës në Tiranë, ndërkohë që për
identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve janë vënë 20 numra telefoni në
përgjim, janë kontrolluar dhjetë servise, pasi mendohet se autorët kanë
shitur motorin për të humbur gjurmët.

Dy ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pranë ish- Fushës së Aviacionit, policia ka çuar në 20 numrin e personave të dyshuar si autorë të krimit makabër. Të dyshuarit janë kontigjent me tendenca të kryerjes së ngjarjeve të tilla kriminale, të cilët janë arrestuar në muajt e fundit nga policia dhe kanë mbaruar dënimin apo janë lënë në gjykim në gjendje të lirë nga gjykata.

Burime zyrtare pranë grupit të hetimit bënë të ditur se ekspertët e krimeve të rënda në Drejtorinë e Përgjithshme dhe ata të Drejtorisë së Tiranës, kanë hartuar identikitin e personit të dyshuar si ekzekutori mbi bazë të dëshmive të siguruara natën e krimit. Personat e shoqëruar u përkasin grupmoshës 16-20-vjeçare dhe mbi bazën e karakteristikave të mbledhura, hetuesit po e ngushtojnë rrethin me metodën e përjashtimit.

Identikiti e përshkruan autorin e dyshuar të vrasjes së 37-vjeçares, një të ri 16-20 vjeç, me tipare të errëta dhe trup mesatar. Identifikimi dhe zbardhja e vrasjes së Fatbardha Tafës, është sfida më e madhe për blutë e kryeqytetit. Vrasja e saj, në sy të fëmijëve gjatë një tentative grabitjeje tronditi kryeqytetin, ndërkohë që tashmë në hetim është përfshirë edhe Prokuroria e Tiranës.

Lidhur me ngjarjen e rëndë Policia dhe Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se kanë vënë rreth 20 persona në përgjim, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme janë kryer dhe kontrolle në 10 servise në zonën e Kamzës, pasi mendohet se autorët mund ta kenë shitur motorin e tyre për të humbur gjurmët. Personat që po mbahen në monitorim janë me precedentë penalë, ndërkohë që policia dhe prokuroria shpresojnë për interceptimin e ndonjë bisede rreth kësaj çështjeje, për t’i përqendruar të gjitha forcat në persona konkretë.

Për 48 orë, policia shoqëroi mbi 200 persona si të dyshuar për ngjarjen, ndërsa janë bllokuar 250 motorë, që kanë ngjashmëri me motorin e përdor nga grabitësit, apo janë kapur në aksion që pasoi për bllokimin e mjeteve të tilla motorike pa dokumente dhe pa targa identifikuese. Ndërsa për familjarët e dy motrave Tafa dhe Gjana, krimi ka qenë mjaft tronditës. Trupi i pajetë i Fatbardha Tafës, prej pasdites së të enjtes prehet në varrezat e fshatit Hardhishtë. 38-vjeçarja jetonte prej 5 vjetësh në Itali dhe kishte ardhur tek të afërmit e saj për pushime. Pasditen e së mërkurës, ajo me djalin 14 vjeç, i cili mendohet se ka njohur një nga autorët, me motrën Lumturie dhe fëmijët e saj, kishin shkuar për shëtitje te lulishtja tek ish-Fusha e Aviacionit.

Në kthim, rreth orës 18:30 të mbrëmjes, ato janë sulmuar nga dy grabitës me motor, që donin t’i merrnin varësen nga qafa Fatbardhës. Dy gratë kanë reaguar, duke kapur njërin nga grabitësit, ndërsa grabitësi tjetër i sulmoi ato me thika. Policia ngriti një grup të zgjeruar hetimor për identifikimin dhe kapjen e autorëve, hetime të cilat po vijojnë me mjaft intensitet.

Top Channel