Vrasja e 37-vjeçares, djali e njeh njërin nga grabitësit

09/08/2012 00:00

Vdiq se mbrojti veten, djalin dhe pasurinë personale nga
grabitësit-adoleshentë të rrugës. Ky qe fati i 37-vjeçares Fatbardha
Tafa, nënë e një djali 13-vjeçar, që pa sesi ia vranë në mes të rrugës
atë që e solli në jetë dhe e rriti.

Askush nuk i ndihmoi, edhe pse ata vetë mundën ta neutralizonin grabitësin e parë, pa e ditur që krahët ia mbulonte një tjetër. I dyti lëvizte me motor dhe i sulmoi me thikë, atëherë kur e pa shokun në vështirësi dhe kuptoi që Ervisi 13-vjeçar e kishte njohur grabitësin pas heqjes së kapuçit-maskë nga fytyra.

37-vjeçarja Fatbardha Tafa është përcjellë për në banesën e fundit me dhembje, lot dhe protestë të heshtur nga familjarë e të afërm. Ceremonia mortore u zhvillua në Hardhishtë të Shijakut, atje ku kishte shtëpinë viktima. Në orën 15.00 të ditës së djeshme, nën një temperaturë prej 35 gradë Celsius, djali, bashkëshorti dhe shumë burra të fisit dhe të fshatit kanë përcjellë për në varrezat e fshatit gruan që besonte te Zoti dhe te forca e saj fizike.

Revolta e familjarëve

Revolta ndaj situatës kriminale dhe moskapjes ende të autorëve shfaqet pothuajse në çdo fytyrë. Krimi i rrugës ka goditur në zemër një nënë dhe mijëra të tjera në mbarë opinionin publik. Shumë prej tyre kanë qenë dëshmitare të grabitjeve të këtij lloji në çdo orë të ditës në rrugët e qyteteve të mëdha, të tjera subjekte të grabitjeve, ndërsa të tjera kanë dëgjuar më shumë se një rast grabitjesh mes të njohurve që kanë. Krimi i rrugës është kthyer në një epidemi që godet, por nuk goditet. E nëse t’i mbrohesh, beson te fuqitë e tua, mund të gjesh vdekjen si Fatbardha Tafa në Tiranë apo volejbollisti Juxhin Guza në Durrës. “Të gjithë ndihemi të pambrojtur dhe duhet të reagojmë. Duhet të protestojmë. Është shumë e çuditshme që në mes të rrugës, aty ku vazhdimisht ka prani forcash policore, në orën shtatë të mbrëmjes nuk u gjet askush. Në lagjen tonë, te rruga që të çon në shtëpinë e Ilir Metës kanë ndodhur tre grabitje varësesh, çantash. Asnjë nuk është gjetur. Ndërsa të gjithë i njohin autorët, janë të zonës, lagjes aty, por edhe policia hesht. Ne gratë e lagjes duhet të protestojmë të gjitha për këtë krim, por edhe për grabitje të tjera, që shteti të na marrë në mbrojtje”, tregon me lot në sy një e afërme e viktimës që jeton në Tiranë, në zonën ku ndodhi krimi.

Djali njohu grabitësin

Ervisi 13-vjeçar e njohu grabitësin dhe ia tha, ndërsa e ëma, Fatbardha e izoloi personin e maskuar që përpiqej t’i hiqte nga qafa varësen e trashë të florinjtë. Forca që kishte e ka lejuar Bardhën ta ndalojë. I biri i ka dalë nga pas dhe kur maska i është hequr, djali e ka njohur grabitësin, po në këtë kohë ka ndërhyrë djali me motor që ka nxjerrë thikën, duke qëlluar tre herë, dy herë mbi Fatbardhën dhe njëherë mbi Lumen, motrën e saj, që ka ndërhyrë për të mbrojtur nipin, Ervisin. Ai mund të kishte qenë viktima e dytë. Fatbardha, në çantë mësohet se kishte 24 mijë lekë (të rinj). E ndërsa një nga goditjet e ka kapur Fatbardhën në zemër duke mos e lënë të thotë as fjalët e fundit, Lumja është goditur në krahun e majtë. Agresori ka synuar zemrën edhe në këtë rast.

Motra e plagosur

Dje Lumja me krahun e fashuar ka qenë në shtëpinë e së motrës në Hardhishtë, për t’i bërë nderimet e fundit. Me dhembje në zemër dhe lot në sy vajtonte të motrën, gruan e fortë që kishte dorën e saj, punën e djersën e saj në çdo pjesë të shtëpisë dykatëshe. “Ku të shkoj, ku të mbytem.Ditën e krimit gjithë ditën kisha një dhembje të fortë koke, një këputje të plotë të pakuptueshme. I thashë Mirandës (së bijës) të bënte ndonjë gjë se nuk isha e zonja për asgjë. Krejtësisht e këputur. Si një parandjenjë?! Nuk e di. Ma vranë dhe ikën. Asgjë nuk morën, po i morën jetën asaj në sytë tonë. Na morën shpirtin të gjithëve” thotë Lumturia.

Të tjerë tregojnë se si ajo mundi të mbrojë nipin, po jo të motrën nga vdekja. Bashkë me dy motrat dhe Ervisin ishin dhe 7 fëmijë të tjerë. Më i vogli 2 vjeç dhe më e madhja 17 vjeçe, vajza e Lumes. Të gjithë së bashku po shkonin për të kaluar ndonjë orë në mbrëmje në parkun e ish-Fushës së Aviacionit. “Aty mblidhemi ne gratë me fëmijët pasditeve. Kalojmë ca kohë duke folur me njëra-tjetrën dhe fëmijët luajnë”, tregon një e afërme e së plagosurës. Lumja herë pas here hedh vështrimin përtej portës së hekurt të oborrit të shtëpisë, a thua se pret kthimin e dikujt.

Familja kishte ardhur nga Italia për dasmë, por u kthye në mort

Fatbardha Tafa ditën që u varros mbushte plot një muaj që ishte kthyer në Shqipëri nga Italia, bashkë me të birin dhe vjehrrën, nënën e bashkëshortit të saj.

 

Sokoli, i shoqi do të vinte më 15 gusht. Emigrant në Itali, Sokoli kishte mundur të tërhiqte familjen e tij në vendin ku punonte, afro dy vjet më parë dhe të gjithë jetonin së bashku atje. Këtë verë kishin ardhur me pushime dhe kishin shumë dasma, sebepe, në Dibër, rrethin nga janë me origjinë të dy bashkëshortët Tafa.

Dje ai është kthyer jo më për pushime, po për t’u ndarë për herë të fundit me bashkëshorten dhe për t’i qëndruar pranë të birit Ervisit, djalit të vetëm të çiftit. Qëndronin të dy mbi arkivol, nuk shkëputeshin nga Bardha. “Ishin një çift i rrallë në fis. Shkonin jashtëzakonisht shumë mirë. Kishin aq harmoni, sa ne të tjerët gjithnjë habiteshim”, tregon një tjetër e afërme. “Ah, moj bijë, nusja ime nuk turbullonte as ujët. Të mërkurën një muaj u kthyem nga Italia. Unë bashkë me të dhe djalin. Kur u nis për Tiranë, te e motra, i thashë: “Hiqi florinjtë se t’i merr ndonjë. Po s’më dëgjoi. I besonte vetes se ishte grua e fortë, e zonja”. Më tha: “Jo moj nënë, se nuk m’i merr njeri”. Po këtu s’ka siguri. As në demokraci, po as atëherë. Mua ma vrau sistemi babanë kur isha vetëm 3 vjeç”, tregon për “SHQIP” Vehbia, vjehrra e Fatbardhës, teksa na tregon dy fotot e vetme të saj që ka mundur të gjejë në shtëpi. Tenton që të thërrasë nipin, teksa kthehet nga varrimi, po për të komunikimi me dikë të medias duket absurd. Askush nuk ia kthen më të ëmën, as qetësinë e shpirtit e mendjes deri në çastin që do të vendoset drejtësi. Drejtësi nga kush? Që nga çasti i çeljes së dyerve të zisë dhe deri në atë të përcjelljes së viktimës për në banesën e fundit askush nga përfaqësuesit e pushtetit vendor apo të organeve shtetërore nuk u ka shkelur në derë dhe atyre u duket i çuditshëm ky fakt, pasi ajo u vra në mes të ditës, në mes të rrugës nga kriminelë të rrugës. “Vërtet përgjegjësi të drejtpërdrejt mund të mos kenë, po përgjegjësi morale mban shteti që i lë njerëzit e tij në mëshirë të fatit, pa mbrojtje. Askush nuk ndërhyri atje, edhe pse pa se po sulmoheshin dy gra me shumë fëmijë. Askush! Të gjithë duhet të protestojmë. Të ngrihemi se kjo që i ndodhi kësaj gruaje dhe shumë të tjerëve një ditë mund të na bjerë në kokë edhe ne. Shteti hesht, po ne duhet ta vëmë në lëvizje të gjithë bashkë. Këtë shikoni ju gazetarët, të zgjoni popullin jo vetëm të përcillni dhembjen e një rasti”, deklaron me nerv një burrë, në rrugën e fshatit, fare pranë shtëpisë.


Vendi i vrasjes

Gazeta “Shqip”

Top Channel