SHBA, indianët: E prisnim një atentat

06/08/2012 08:30

Indianet sik që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shokuar pas sulmit me armë në një tempull në Uinskonsin, ditën e dielë.

Një person i armatosur hyri në tempullin shik të dielën në mëngjes dhe hapi zjarr duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur një polic.

Në total u vranë shtatë persona në “Oak Creek”, përfshirë atentatorin. Zyrtarët thonë se nuk e kanë identifikuar ende personin që shkaktoi tragjedinë dhe se nuk i dinë ende motivet e këtij krimi, por duket se komuniteti shik në SHBA i ka shumë të qarta idete.

“Kësaj gjëje i jemi frikësuar që nga 11 Shtatori. Ka shumë injorancë mes njerëzve. Ata na ngatërrojnë me talebanët dhe me Bin Ladenin”, thekson Rajwant Singh, presidenti i Këshillit Sik të Uashingtonit për “Associated Press”.

“Ne mbulojmë kokën dhe për këtë arsye na ngatërrojnë me myslimanët”, shton ai.

Në Uinskonsin banojnë rreth 3 mijë familje sike.

Top Channel