Norma e interesit zbret 4 për qind

24/07/2012 00:00

Banka e Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e zbritur në 4%, niveli më i ulët historik. Vendimi i fundit u bë i ditur nga guvernatori Ardian Fullani pas mbledhjes së radhës së Këshillit Mbikëyrës.

“Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet mbi çmimet e konsumit mbeten të ulëta, por janë zhvendosur në kahun rënës gjatë muajve të fundit. Sa për kërkesën, rritja ekonomike nën potencial do të vazhdojë të gjenerojë presione të ulëta inflacioniste, ndërsa goditjet në kahun e ofertës do jenë të moderuara”, deklaroi Fullani.

“Zhvillimet e pritura ekonomike dhe me inflacion nënkuptojnë ruajtjen e natyrës stimuluese monetare edhe gjatë periudhës së ardhshme”, sqaroi më tej guvernatori.

Banka Qendrore kishte pralajmëruar se do të lehtësonte më tej politikën e saj monetare në raste se do të rezultonte e nevojshme. Inflacioni në nivele të ulta, shumë pranë minimumit 2 për qind, jep një sërë mundësish.

Që nga gushti i vitit të kaluar Banka e Shqipërisë ka ulur katër herë normën bazë të interesit, duke tentuar të ulë edhe kostot e borxhit. Por interesat e kredive kanë mbetur të larta për shkak të borxhit të lartë qeveritar dhe tërehqjes së bankave nga blerja e bonove të thesarit.

Top Channel