Memushaj: Ndryshimet prekin themelin e gjuhës

08/07/2012 00:00

Profesor Rami Memushaj është kundër ndryshimeve në standardin e gjuhës shqipe. Ai thotë se ndryshimet që kërkohen do të preknin themelet e gjuhës.

Top Channel: Profesor Memushaj si i pritët ndryshimet e propozuara në mbledhjen e Këshillit Akademit lidhur me drejtëshkrimin e gërmës “Ë”?

Prof. Rami Memushaj, gjuhëtar: Ajo që të shqetëson tek propozimet që përmend zoti Topalli (Kolec Topalli) është mosshkrimi i “Ë”-së mbështetëse e cila është pranuar në rregullat e drejtëshkrimit për arsye sepse zbut shqiptimin dhe mosshkrimi i saj krijon grupe bashkëtingëlloresh të vështira. P.sh ‘kombëtar’ tani do të shkruajmë ‘kombtar’, preket shkrimi i zanores “Ë” të temës në fjalë të prejardhura, p.sh fjala ‘antar’, por si ‘antar’ ka me mijëra, janë 8 mijë emra femërorë. Pra do të thotë që preket një masë e madhe emrash dhe kjo është bërë me arsyetimin; meqë ka disa përjashtime, anëtarët e komisionit atje janë vënë para alternativës, o t’i bëjmë të gjitha me ‘ë’ o t’i bëjmë të gjitha pa “Ë”. Në këtë mënyrë, ata që kanë qenë kundër heqjes së “Ë”-së në këto emra femërorë, tek ‘anëtar’ p.sh ose tek ‘gjithëpopullor’, që është një fjalë e përbërë apo tek ‘vetëqeverisje’ etj, sepse përballë tyre qendrojnë disa fjalë të përngjitura si ‘vetvete’ apo ‘gjithmonë’,duke u ndodhur para kësaj alternative janë dorëzuar dhe kanë pranuar që të gjitha të shkruhen pa “Ë”.

Top Channel: Nëse vendoset kështu, dëmtohet drejtshkrimi i gjuhës shqipe?

Prof. Rami Memushaj:Prekin thellë dhe padyshim që gërryejnë bazat e drejtshkrimit të gjuhës standarde, do të gërryhet përbërja fonetike e fjalës. Pra në gjithë ato që shqipton aty ka një mungesë ekspertize të theksuar. Na shqetëson sepse po ndërhyhet në drejtëshkrimin e gjuhës shqipe me hanxhar dhe jo me limë për të rregulluar ato zgjidhje të cilat nuk janë sistemore. Qëllimi i fundit i tyre nuk e di se cili është, por në të vërtetë nuk është një lëvizje e mirë për një arsye tjetër; kur ndërhyn ka thellë në drejtëshkrim ai bëhet praktikisht i papërdorshëm. Kjo do të thotë që i bën dëm çështjes kombëtare sepse çoroditet shkolla, çoroditen mediat e shkruara dhe ata që e përdorin shqipen si gjuhë të shkruar.

Top Channel: Këto ndryshime janë miratuar në mbledhjen e Këshillit Ndërakademik, përse nuk u kundërshtuan ato?

Prof. Rami Memushaj: Kjo vjen ngaqë në këtë komision nuk ka pasur specialistë të drejtshkrimit. Aty ka munguar së pari profesor Emil Lafe, i cili është njohësi më i mirë, jo vetëm i historisë së drejtshkrimit sepse ka punuar me profesor Xhuvanin, me profesor Çabejn, Kostallarin, Mahir Domin etj, por njeh edhe strukturën e rregullave, pra i di si të thuash në majë të gishtave rregullat e drejtëshkrimit dhe di se ku pikon çatia. Por aty nuk janë thirrur as ata anëtarë të tjerë të komisionit të palës së Tiranës për drejtshkrimin. Aty referatin, apo relacionin e ka mbajtur akademiku Topalli, i cili nuk mund të mohojmë që është një gjuhëtar me ndihmesa, por nuk është marrë me drejtëshkrimin, pra ka hyrë vonë në drejtëshkrim dhe ngatërron kategoritë.

Top Channel: Sa qendron sipas jush përpjekja për të shtuar elementët e gegërishtes në gjuhën standarde?

Prof. Rami Memushaj: Ka ndër gjuhëtarët e Veriut, një grup që është i vogël në krahasim me masën tjetër të gjuhëtarëve të Veriut të Shqipërisë por dhe të Kosovës, që ka nisur luftën kundër standardit që nga viti 1991pas liberalizimit duke u përpjekur ta delegjitimonin, duke hedhur tezën e standardizimit të gegërishtes dhe përdorimit të dy dialekteve paralelë, derisa ata të puqen një ditë…pas 1 mijë vjetësh, ose duke hedhur një teori të pluricentrizmit, të shumë varianteve gjuhësore, varianti i Tiranës, i Prishtinës apo varianti i Shkupit apo i Tetovës. Për këta të Prishtinës është shqiptuar qartë prof. Qosja që thotë se këta mbështeten nga disa politikanë dhe disa qarqe të huaja. Nuk e dimë nga kush mbështeten këta tanë, kjo pjesë e gjuhëtarëve që është një pakicë, por që shfrytëzon strukturat e krijuara për të bërë një zhurmë të madhe.

Top Channel: Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 përcakton se me zhvillimin e gjuhës shqipe duhen ndryshuar edhe disa rregulla, apo jo?

Prof. Rami Memushaj: Kongresi i Drejtshkrimit i 1972-shit e pranon që gjuha ndryshon dhe këto rregulla do të rishikohen, mirpo motivet nga nisen përkrahësit e këtyre ndryshimeve nuk janë shkencore. Këta na thonë se shkrimi duhet të ndjekë shqiptimin, por kjo nuk është e vërtetë sepse drejtshkrimi i shqipes është më shumë morfologjik se sa fonetik, sepse po të ndjekësh parimin foneti nuk dihet se ku shkon pasi nuk ka një model të përcaktuar të shqiptimit në gjuhën shqipe, madje ne nuk kemi rregulla të drejtshqiptimit, megjithëse kongresi e vuri si detyrë hartimin e këtyre rregullave, ne deri më sot, 40 vjet pas këtij kongresi nuk kemi rregulla të drejtshqiptimit. Ka motive shkencore, nuk është përligjur kjo që drejtshkrimi të ndjekë hap pas hapi shqiptimin sepse kjo do të na çonte që pas nja 100 vjetësh brezat që do të vinin nuk do të dinin se çfarë është shkruar sot.

Top Channel: Ju nuk jeni dakort me asnjë nga propozimet e bëra në mbledhjen e Këshillit Ndërakademik?

Prof. Rami Memushaj: Ne i kemi paraqitur me ngjyrë të kuqe të gjitha këto propozime. Janë rreth 40 fjalë me “EU” që ne kemi propozuar të shkruhen me “U” dhe jo me “V”, kështu që shumë nga ato propozime janë të njohura. Problemi është tek “Ë” mbështetëse, “Ë” themelore të temës tek emrat femërore kur formojnë fjalë të prejardhura me prapashtesa ose kur bashkohen me tema të tjera, këtu janë problemet kyçe.

Më herët një tjetër gjuhëtar, Kolec Topalli argumentoi se përse zanorja “Ë” në disa fjalë duhej të hiqej.

Top Channel