KQZ zëvendëson Nishanin, mandaton Vath Tabakun

19/06/2012 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mandatuar paraditen e sotme, Vath
Tabakun, si deputetin më të ri të Parlamentit shqiptar. Tabaku do të
zëvendësojë deputetin e PD-së, Bujar Nishani, pas zgjedhjes së këtij të
fundit si president i ri i Republikës.

Mbledhja e radhës së KQZ, ka zgjatur pak minuta dhe me 6 vota pro është miratuar kalimi i mandatit të deputetit të PD-së nga Nishani tek Vath Qerim Tabaku. Sipas KQZ-së, mandatin e Nishanit e merr personi i 16 në listën emërorë të propozuar nga PD për qarkun e Tiranës, duke i kaluar automatikisht kandidatit Vath Tabaku.

Tashmë, Tabaku do të duhet të lërë detyrën e tij të Dekanit në Fakultetin e Shkencave Pyjore, post që e mban që prej janarit të vitit 2008. Tabaku punon prej 20 vitesh si pedagog pranë Fakultetit Bujqësor, në Kamëz, ndërkohë që prej 2 dekadash është anëtarësuar pranë Partisë Demokratike. Pas zgjedhjes së Bujar Nishanit në postin e Presidentit, PD vendosi të zëvendësojë vendin e mbetur bosh me emrin pasardhës së listës në qarkun e Tiranës. Në raundin e tretë të votimit për kreun e ti të shtetit, Kuvendi zgjodhi  z. Bujar Nishani si Presidentin e ardhshëm të Republikës, i cili mori mbështetjen e 73 deputetëve.

Top Channel