Klinton përshëndet vendimin për disidentin 05/05/2012 02:30
Deklaratat e Pekinit se disidenti i verbër kinez Chen Guangchen mund të lejohet të studiojë jashtë kufijve, janë mirëpritur në Uashington.
Sekretarja e Shtetit Hillary Klinton tha se ndihet e inkurajuar nga progresi i bërë.
“Që nga fillimi, të gjitha përpjekjet tona lidhur me zotin Chen janë drejtuar nga zgjedhjet e tij dhe vlerat tona. Jam e kënaqur që ambasadori ynë foli përsëri me të, stafi ynë i ambasadës dhe mjeku patën mundësinë ta takonin dhe ai e konfirmoi se bashkë me familjen, dëshiron të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që të ndjekë studimet”, tha Klinton.
Ministria e Jashtme kineze njoftoi më herët se Chen mund të aplikojë për të studiuar jashtë vendit, c’ka nënkupton se fundi i ngërcit diplomatik që shkaktoi kjo cështje mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, mund të jetë i afërt.
Mosmarrëveshjet nisen kur aktivisti i të Drejtave të Njeriut i shpëtoi arrestit shtëpiak e u strehua në Ambasadën Amerikane në Pekin. Sekretarja e Shtetit ka qenë në kryeqytetin kinez për bisedime të nivelit të lartë që janë mbizotëruar kryesisht nga drama e çështjes Chen.
Njoftimi i ministrisë se ai ka të drejtën të shkollohet jashtë, ashtu si cdo qytetar tjetër i Kinës, pasoi një seri ankesash nga Chen, i cili shprehej i shqetësuar për sigurinë e vet e thoshte se kishte dëshirë të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara për një fare kohe.
Disidenti 40 vjecar fillimisht ra dakord për një marrëveshje të arritur nga autoritetet amerikane dhe ato kineze, e cila i lejonte qëndrimin në një vend të sigurtë në Kinë dhe të drejtën e studimit. Por pak orë pas largimit nga ambasada amerikane ndryshoi mendje, për shkak se sic deklaroi dhe vetë, familja e tij ishte kërcënuar.