Numërimi elektronik, palët optimiste

02/05/2012 00:00

Komisioni për reformën zgjedhore ka nisur shqyrtimin e një prej paketave më të rëndësishme të Kodit Elektoral, paketës që përcakton me detaje mënyrën sesi do të numërohen votat me sistemin elektronik.

Për shkak se kjo është edhe risia kryesore që sjell reforma zgjedhore, kjo paketë përveç se e rëndësishme, është edhe shumë voluminoze, pasi numërimi elektronik ndodh për herë të parë në Shqipëri.

Paketa nuk është miratuar ende në mënyrë përfundimtare, por eksperti socialist, Bledar Çuçi beson se po ecet në rrugën e duhur.

Madje, është parashikuar që në rast të pamundësisë ekstreme për përdorimin e numërimit elektronik, të mbahet rezervë edhe numërimi me dorë.

“Parashikohet që këto proçedura, numërimi elektronik dhe ai me dorë, do jenë të ndara nga njëra-tjetra. Gjithashtu, sot filluam diskutimet për rolin e të gjithë aktorëve, anëtarëve të KZAZ-ve, vëzhguesve, etj”, deklaron Çuçi.

Numri i komisioneve zonale ku do të bëhet nuëmrimi elektronik nuk ka ndryshuar. Ato do të vazhdojnë të jenë 66 dhe të gjitha të pajisura me makinerinë që do të numërojë.

E veçanta është se operatori i pasjisjes elektronike do të jetë teknik dhe jo përfaqësues partiak. Këta të fundit vetëm sa do të vëzhgojnë proçesin.

“Vendimmarrja do të jetë në KZAZ, ndërsa vëzhgimi do të bëhet nga gjithë përfaqësuesit e partive që marrin pjesë në zgjedhje”, saktësoi Çuçi.

Ajo që ekspertët kanë përmirësuar, mes të tjerash, në proçedurat e votimit është se me nisjen e numërimit elektronik të votave, do të hapen vetëm kutitë e votimit dhe jo kutitë e materialeve zgjedhore.

Kjo jo vetëm shkurton kohën e numërimit, por ul marzhin e gabimit, ul ndikimin partiak për të bërë vlerësimin e vlefshmërisë së kutisë me materiale zgjedhore, si dhe c’është më e rëndësishmja minimizon mundësitë për të bllokuar proçesin e numërimit të votave.

Top Channel