Aksioni kombëtar i pastrimit

20/04/2012 00:00

Në “Ditën e Shqipërisë së Pastër” e Qarkun e Durrësit, puna për pastrimin është përqendruar në plazhe dhe në ambjentet publike të qytetit.

Kanë qenë kryesisht forcat ushtarake të organizuara në këtë aksion si dhe nxënësit e shkollave 9-vjecare ata që janë përfshirë në këtë aksion dhe shumë pak nga administrata.

Ndërkohë që banorët e zonës janë treguar tërësisht indiferentë ndaj kësaj nisme. Rreth 50 efektivë të policisë së Durrësit të mbështetur edhe nga nxënës të shkollave të mesme kanë pastruar territorin brenda dhe jashtë godinës policore, si dhe përgjatë shumë rrugëve të qytetit bregdetar.

Në Elbasan

Repartet ushtarake të mbështetura edhe me mjete të rënda janë aktivizuar në pastrimin dhe sistemimin e një kanali të madh që kalon prane lagjeve të banuara nga komuniteti rom në qytetin e Elbasanit.

Ky aksion, së bashku me aksionin e nxënësve dhe disa prej punonjësve të administratës në zonën pyjore në periferi të Elbasanit, ishin ndër me kryesorët e organizuar në këtë qytet. Aksione të ngjashme ka patur edhe në zona të tjera.

Në Fier

Aksioni u përqendrua në pastrimin e plazhit të Semanit. Pjesëmarrja është shumë e madhe për shkak të aktivizimit të gjimnazistëve dhe punonjësve të administratës, por edhe të një numri të madh ushtarakësh.

Ishin këta të fundit, së bashku me punonjësit e Albpetrol që kanë pastruar territorin e plazhit nga mbeturinat, ndërsa pjesa tjetër e pjesëmarrësve në këtë aksion e ka shfrytëzuar këtë ditë për një shëtitje në bregun e detit.

Ndërkohë, tonelata me mbeturina urbane të shpërndara në gjithë gjërësinë e plazhit janë grumbulluar në pritje të largimit përfundimtar nga kjo zonë.

Në Lushnje

Në Lushnje puna më e madhe, përvec rrugëve të qytetit, është bërë në zonën e lumit Shkumbin. Në brigjet e këtij lumi janë hedhur prej vitesh tonelata me mbeturina që tani kanë nisur të largohen pjesërisht prej andej.

Në Korçë

Aksioni është shtrirë edhe në Qarkun e Korçës. Punonjësit e administratës nxënësit dhe ushtarakët janë përfshirë në aksion.

Gjatë pastrimit në rrugët e qytetit dhe pranë shkollave dhe institucioneve të tjera janë aktivizuar edhe banorët që kanë nisur të mbledhin mbeturinat nga ambjentet publike.

Në Shkodër

Në Qarkun e Shkodrës të gjitha shkollat, por edhe universitetet dhe administrata është angazhuar në pastrimin e ambjenteve publike. Aksione të ngjashme janë zhvilluar në të gjithë vendin.

Basha: Tirana e pastër, denonconi ndotësit

Ditës për një Shqipëri të Pastër, të shpallur nga kryeministri Berisha, i është bashkuar edhe kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve që të kujdesen për pastërtinë e kryeqytetit.

“Qytetin e mbajmë të pastër jo për bashkinë apo qeverinë, por për veten tonë dhe fëmijët tanë. E mbajmë pastër jo vetëm duke hequr mbeturinat dhe jo vetëm për një vit”, u shpreh Basha.

Basha tha se në dispozicion të qytetarëve do të vihen dy numra telefoni ku ata të mund të denoncojnë kur vënë re hedhje të mbeturianve në rrugë.

Tiranës, tha Basha, do t’i shtohen edhe 2000 kosha të rinj dhe disa pajisje të reja pastruese. Nga ana tjetër, ai kërkoi ndërgjegjësimin e qytetarëve për të paguar tarifën e pastrimit si kontribut për një Tiranë të pastër.

Dita e pastrimit, Berisha në Kamëz

Reshjet e dendura të shiut nuk e kanë penguar kryeministrin Sali Berisha të bëhet pjesë e ditës së shpallur prej tij si Dita për një Shqipëri të Pastër.

Duke vizituar vendin ku bashkia e Kamzës do të ndërtojë fushën e trajtimit të mbeturinave të qytetit, deri para pak kohësh një fushë e mbushur me mijëra ton mbetje, kryeminisri Berisha nuk i konsideroi aspak një pengesë për pastrim reshjet e dendura të shiut.

“Sot kemi parashikuar një ditë për Shqipërinë e pastër, por Zoti po na ndihmon në mënyrën më të mrekullueshme. Ndaj dhe t’i lutemi Zotit dhe ta falenderojmë për këtë koinçidencë të bukur”, deklaroi Berisha.

20 prilli do të konsolidohet në të ardhmen si Dita Kombëtare e Pastrimit. Por, i vetëdijshëm, se kjo është vetëm një ditë simbolike, ose siç e quan ai vetë një “make up” në fytyrën e Shqipërisë, kryeministri Berisha përmendi si një nga aktet më të rëndësishme të qeverisë nisjen e ndërtimit të 14 impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, ku më i madhi prej tyre është ai që pritet të nisë në Tiranë.

“Të mos harrojmë se pamjet e Ishmit, do  t’i quaja te lemerisshme, por më të lemerisshme janë ato që nuk shihni. Nën plastikat që ju shihni janë ujërat e zeza të Tiranës dhe të këtij pellgu që shkojnë drejt detit dhe natyrisht ndotin. Por, po ndërtojmë 14 impiante nga Velipoja ne Ksamil, që në detet tona të derdhen ujëra të pastra. Çështja e mjedisit është çështje e cilësisë së jetës, ndaj do bëjmë gjithçka për të ulur përqindjet e këtyre ndotësve. Që të ndikojmë fuqishëm në shëndetin e qytetarit dhe rritjen e jetëgjatësisë. Kjo ditë ku edhe Zoti është me ne dhe po na ndihmon. Le të na ftojë ne të gjithë për një qëndrim të ri ndaj mjedisit ku jetojmë”, tha Berisha.

Bashkë me disa nxënës, kryeministri Berisha mori pjesë edhe në pastrimin e një rruge në bashkinë e Kamzës, ku u njoh nga kryetari i bashkisë edhe me nisjen e projektit për ndarjen e mbeturinave në kosha të veçantë, një nismë që është shndërruar në ligj dhe që për pak vjet do të jetë detyrim për çdo qytet dhe fshat të vendit.

Pjesëmarrja në Ditën e Pastrimit Kombetar ishte rasti më i përshtatshëm për kryeministrin që të bënte një apel sensibilizues për qytetarët.

“Qëllimi i kësaj dite është që të fuksohet në kalendar si dita e mjedisit apo Shqipërisë së pastër, është që të ngremë vetëdijen e çdo qytetari të kontribuojë për një Shqipëri të pastër. Shqipëria ka kushtin më themelor për të qenë e pastër, vendimin e qytetarëve për të mos hedhur nga xhepat, banesat e dyqanet hedhruina që e ndotin mjedisin dhe bëhen burime infeksionesh dhe kërcënim për shëndetin tonë”, shtoi Berisha. 

Top Channel