Tenderi për linjën e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës është
vonuar nga Drejtori i Përgjithshëm i OST-së Arben Ibroja.

Të paktën kjo rezulton nga letërkëmbimi zyrtar që zotëron Top Channel, i cili hedh drite mbi shkaqet e vonesës së projektit. Nga ky letërkembim mësohet, se saga e projektit ka nisur në mars të vitit të kaluar, ku është zhvilluar tenderi për projektin në të cilin kanë marrë pjesë dy kompani, kroatja ‘Dalekovod’ dhe ajo boshnjake ‘Energoinvest’.

Pas zhvillimit të tenderit, vlerësimi i ofertave është zhvilluar në tre faza, që ishte ajo e paskualifikimit dhe dy fazat e mëvonshme, ajo e vlerësimit teknik dhe atij financiar, të zhvilluara respektivisht në 22 gusht dhe 20 shtator të vitit 2011, siç tregon një dokument zyrtar i bankës gjermane KFW. Në përfundimin e këtyre fazave, Operatorët e Transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës në bashkëpunim me KFV-në kanë shpallur fitues kompani kroate ‘Dalekovod’, e cila ndonëse kishte ofruar çmim më të lartë se ajo e vendit të dytë, boshnjakja ‘Enertgoinvest’, pasi ofronte garanci më të mëdha teknike.

Në 3 nëntor të vitit të kaluar, konsulenti i tenderit njofton zyrtarisht kompaninë kroate, se është shpallur fituese. Por në mënyrë të papritur përmes një letre zyrtare në datën 8 shkurt të këtij viti, drejtori i OST-së, Arben Ibroja, njofton KFW-në se ka vendosur të shpallë fitues dhe të nisë negociatat me kompaninë e renditur e dyta në tender, atë boshnjake “Energoinvest”.

Ky vendim nuk është mirëpritur nga banka gjermane, e cila me shqetësim një ditë më vonë i drejtohet drejtorit të OST-së me një letër zyrtare, ku i bën të qartë se nuk do të japë ‘ok’, për vendimin e tij për të shpallur fitues kompaninë e dytë. KFW njeh se oferta e “Energoinvest” është më e ulët financiarisht, por thotë se pas procedurave të paracaktuara për vlerësimin teknik fitues ishte shpallur kompania kroate “Dalegovod” sepse ofronte garanci më të mëdha teknik. “Ndaj, – thotë KFW në letrën drejtuar drejtorit të OST-së,- Ibroja thotë se vendimi i OST për të shpallur fitues boshnjakët e vendit të dytë nuk është në përputhje me udhëzimet e KFW-së”.

Kjo pakënaqësi e shprehur hapur nga KFW per zevendesimin e fituesit me kompanine boshnjake konfirmohet edhe nga letra qe ministri i Ekonomise, Nasip Naço i dergoi në datë 20 shkurt, zotit Ivi Kaso, drejtor i Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në Këshillin e Ministrave dhe për dijeni të kryeministrit Sali Berisha, ministrit të Financave Bode dhe drejtorit të OST-së, Arben Ibroja.

Në letër ministri Naço shkruan se vendimi i OST-së për të ndryshuar fituesin e tenderit nuk është aspak profesional dhe i papranueshëm. Zoti Naço i kujton drejtorit te OST-së, se vlerësimi e ofertave bëhet sipas kushteve të vendit financues, në rastin konkret procedurave,të rëna dakord me KFW dhe konsulentit. Në fund të letrës ministri i Ekonomisë vëren me shqetësim se vendimi i OST-së, përvecse shkakton kosto prej 2.5 milionë euro për çdo vit vonese në tender rrezikon realizimin e linjës së interkonjeksionit dhe marrëdhëniet me KFV-në një nga donatorët më të mëdhenj dhe serioz, siç thotë ai, por dhe marrëdhëniet politike me qeverine gjermane.  
Drejtori i OST-së, Arben Ibroja eshte zgjedhur ne kete detyre ne korrik të vitit 2011. Zoti Ibroja ka qenë fillimisht oficer në Gardë dhe më pas si truproja e presidentit të atëhershëm Sali Berisha. Në vitin 1997 ai ka shërbyer në radhët e Shërbimit Informativ Kombetar. Vite më vonë, në 2003-shin Arben Ibroja, shërbente si komisar në Rinas, nga ku është përjashtuar nga ish-ministri i Rendit Igli Toska. Viti 2006, e gjen zotin Ibroja në krye të Doganës së Durrësit. Në vitin 2009, Ibroja u transferua në doganën e Lezhës, por vetëm dy muaj më vonë u rikthye sërish në doganën e Durrësit, ku ka shërbyer deri para emërimit në krye të OST-së.

Top Channel