Irani: Bisedimet bërthamore, në Irak
04/04/2012 15:35
Irani ra dakort për rinisjen e bisedimeve me grupin 5+1 për programin e tij bërthamor, por duket se nuk është dakort me vendin se ku do të mbahen këto bisedime, që gjithsesi nuk kanë ende një datë të saktë.
Media shtetërore iraniane njoftoi se Teherani ka kërkuar që bisedimet të mos mbahen në Stamboll, por në Bagdad. Kjo kërkesë e Iranit arsyetohet me marrëdhëniet e mira që Republika Islamike ka aktualisht me qeverinë e kryeministrit irakian, Nuri al Maliki dhe refuzimi i Stambollit ka ardhur për shkak të ftohjes së marrëdhënieve turko-iraniane për shkak të mbështetjes së regjimit të Bashar al Assad nga ana e Iranit.
Mundësia e nisjes së bisedimeve u njoftua nga Sekretarja
Amerikane e Shtetit e cila tha se raundi i radhës i bisedimeve i 5+1 (SHBA, Rusi, Kinë, Britania e Madhe, Francë dhe Gjermani) me Iranin për programin e tij bërthamor do të mbahet në datat 13 dhe 14 prill në Stamboll.
Por paralelisht me mundësinë e nisjes së bisedimeve, Shtetet e Bashkuara po planifikojnë sanksione të tjera për të detyruar Iranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor. Burime nga Shtëpia e Bardhë, citon BBC, thonë se këtë herë sanksionet do të bien fort mbi të gjithë klientët blerës të naftës iraniane.
Sanksionet e reja prekin kryesisht bankat aziatike të lidhura ngushtë me transfertat e parave drejt Teheranit për naftën e tij, para që derdhen nga blerës të fuqishëm, pjesa më e madhe, po aziatikë.
Nëse do të miratohen, sanksionet do t’i mbivendosen atyre ekzistuese në fushën ekonomike ndaj Iranit, sic janë sanksionet ndaj Bankës Qendrore Iraniane dhe ndaj zyrtarëve të lartë të Republikës Islamike. / Top Channel