FBI arreston krerët e “LulzSec”

06/03/2012 16:25

Tre krerët e grupit të piratëve informatikë, “LulzSec” (Lulz Security) të dyshuar për një sërë krimesh kibernetike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfunduan në prangat e FBI-së.

Tre anëtarët ranë në pranga, pasi njëri prej bashkëpunëtorëve të tyre, vendosi të bashkëpunonte me hetuesit federal. Ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda të ngritura nga hetuesit federalë. Dosja e plotë pritet të publikohet për mediat pas verifikimeve të mëtejshme.

“LulSec” ka marrë përgjegjësinë për një sëri sulmesh të ashtuquajtura “të profilit të lartë”. Pre e tyre kanë qenë servera të institucioneve dhe administratës amerikane, madje dyshohet se ata kanë mundur të futen edhe në vetë kompjuterat e FBI-së dhe se kanë tentuar të marrin nën kontroll kompjuterat e CIA-s.

Grupi “LulzSec”, mendohet se ka lidhje me grupin tjetër të piratëve informatikë, “Anonymous”. Këta të fundit, muajin e kaluar publikuan një bisedë telefonike tepër konfidenciale mes agjentëve të FBI-së dhe atyre britanikë, ku po diskutohej pikërisht lufta ndaj krimit kibernetik.

FBI dyshon se biseda është përgjuar nga “LulSec”, që për të humbur gjurmët ka publikuar të dhënat në emër të “Anonymous”.  

Top Channel