Avantazhet e të qënit beqar

15/02/2012 19:55

Në 14 shkurt, Shën Valentini bashkoi shqiptarët e dashuruar dhe ata që e konsiderojnë këtë ditë si një ceremoni masive.

Një ditë më pas, në emisionin e “Pasdites” në “Top-Channel”, tre të ftuara nuk biseduan për raportet romantike, por për avantazhet e të qënit beqare.

Marsela Çibukaj, finaliste e edicionit të parë të “The Voice of Albania” dhe njëkohësisht single, Diana Lamo, opinioniste në “Të Diell” dhe Elisabeta Katia, ekonomiste, debatuan për këtë temë interesante.

“Për mua, të jesh beqare është diçka e natyrshme”, nisi debatin Marsela. “Të paktën unë s’kam vënë objektiv ndonjëherë që të kem patjetër një partner. Nëse vjen, mirë, por  në Shqipëri kam vënë re që mosha ndikon shumë. Sidoqoftë, unë i kam vënë detyrë vetes që e vogël, e frymëzuar nga personat e rëndësishëm, prindërit dhe miqtë e mi, që formimi personal do të jetë gjithmonë më i rëndësishëm sa raportet romantike”.

Nga ana e saj, Lamo u thellësua në ndryshimin e marrëdhënieve në kohët moderne si dhe në vetë domethënien e të qënit beqar. “Karriera është diçka që të kushtëzon, por unë do e nis nga një konceptim tjetër. Nuk ka mashkull e femër të mirë e të keq, por ka të përshtatshëm dhe jo. Përpiqemi të gjejmë të përshtatshmin dhe kaq”.

Për të ilustruar mendimin e saj, analistja kujtoi mitologjinë greke, “Vjen një gojëdhënë. Njerëzit, në zanafillë ishin shumë të kënaqur me çfarë kishin arritur, ndiheshin të bukur, të plotësuar. Zotrat u zemëruan në Olimp dhe i kërkuan Zeusit që ta zhdukë si racë. Ai tha “m’u desh shumë mund për ta krijuar”, por gjeti një rrugë të thjeshtë për ta zgjidhur. Ai i ndau më dysh njerëzit dhe që prej atëherë jemi në kërkim të gjysmës tjetër që do të na bënte të plotë. Prandaj të jesh i lidhur nuk është e lehtë. Nuk është biologjike apo mistike siç konsiderojnë disa”, vlerësoi Lamo.

Për Lamon, në “kohët modern ndryshon struktura e lidhjeve. Statuset e beqarisë me atë të qënit çift alternohen. Sot, qëndrimi në çift nuk do të thotë domosdoshmërisht martesë”.

“Për mua, ka patur gjithmonë dy faktorë të rëndësishëm që e kanë kufizuar ndienjën ose nevojën për të patur një partner, familja dhe shoqëria”, u shpreh Katia. “Unë kam qenë gjithmonë shumë e angazhuar edhe me punë, por të qënit single është një mënyrë jetese, sidomos për njerëz që si unë, ndryshojnë shpesh vendqëndrimin e tyre”.

Duke kaluar në humor, Katia shtoi se “shoku im i ngushtë më ka prezantuar të gjithë miqtë e tij dhe askush nuk më ka pëlqyer. Më thotë që jam e destinuar të qëndroj të gjithë jeten të vetme”.

Ajo vlerësoi se ndryshe nga sa mund të mendohet, traditat familjare dhe presioni për të krijuar familje është i ngjashëm edhe në vendet perëndimore, si Gjermania ku Znjsh. Katia ka jetuar.

Në fund të bisedës, Marsela zbuloi edhe planet e saj “romantike”. “Nuk e kam problem të jem e lidhur ose jo. Megjithatë, në Itali nga vij unë, 26 apo 27 vjeç quhet ende një moshë shumë e re për të krijuar familje”.

Në “Pasdite”, u identifikuan edhe arsyet pro dhe kundër të qënit beqar.

Avantazhet e beqarisë
– Mund të bësh çfarë të duash, kur të duash pa i dhënë llogari askujt.
– Mund të dalësh me aq femra/ meshkuj sa dëshiron pa u ndierë aspak në faj.
– Mund të frekuentosh vende që në praninë e një partneri nuk do të mundeshe kurrë.
– Mund t’i dedikohesh vetëm karrierës, shkollimit dhe çdo lloj pasioni që ke.
– Lumturia juaj nuk varet nga nje person i vetem.

Disavantazhet e beqarisë
-Të duhet të përballesh i vetëm me të mirat dhe të këqijat që sjell jeta.
– Nuk ke një partner të rregullt në raportin intim.
– Të duhet të shpenzosh më shumë para. Në çift gjithçka e ndan në dy.  
– Privohesh nga kënaqësia e të paturit fëmijë.

Top Channel