Liderat e vendeve të Eurozonës kanë shpërfillur një marrëveshje të arritur midis Ministrave të Jashtëm dhe Greqinë ditën e mërkurë, duke thënë se Athina nuk ka dhënë ende garancitë e nevojshme për respektimin e planit të kursimeve.

Ministrat, të cilat i kërkojnë Greqisë të shkurtojë edhe me 325 milion euro më shumë shpenzimet e saj buxhetore, duhet të takoheshin në Bruksel me delegacionin Helen ditën e mërkurë, për të përfunduar marrëveshjen.

Megjithatë, Kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, lajmëroi se bisedimet dypalëshe do të zëvendësohen nga një konferencë gjithëpërfshirëse.

Pavarësisht se Parlamenti Grek aprovoi shkurtimet e kërkuara, midis protestave të dhunshme në rrugë, vendet e Eurozonës argumentojnë se Athina nuk ka paraqitur ende garanci të mjaftueshme që do të respektojë reformat e thella, një kusht për dhënien e fondit të shpëtimit, pa të cilin Greqia është e detyruar të shpallë falimentimin në muajin mars.

Paketa e shpëtimit me vlerë 130 miliardë euro u miratua në teori në muajin tetor, duke kushtëzuar dhënien e saj me zbatimin e një plani të ashpër të shkurtimit të investimeve qeveritare dhe buxhetit për arsimin, shëndetësinë e sektorë të tjerë kyç të vendit.

Gjithashtu, plani europian detyron vendin që të shkurtojë më tej numrin e punonjësve në administratë, së bashku me pagat dhe pensionet.

Ndërkohë, të dhënat zyrtare të publikuara të martën treguan se rënia e ekonomisë greke u rrit në tremujorin e fundit të vitit 2011.

Krahasuar me tremujorin e fundit të 2010-s, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Greqisë është kontraktuar me 7%, nga 5% i semestrit të mëparshëm, korrik-shtator.

Shifrat e fundit tregojnë se Greqia, PBB e së cilës u reduktua me 6% në 2010-n, mbylli në 2011-n vitin e pestë radhazi të recensionit.

Top Channel