Emiri i Katarit: Trupa në Siri

14/01/2012 14:40

Sheiku Hamad bin Khalifa Al Thani deklaroi për kanalin informativ
amerikan CBS se, “disa trupa duhet të dërgohen për të ndalur vrasjet”.

Është herëa e parë që një lider arab ka bërë thirrje publikisht për ndërhyrje ushtarake në Siri, ku sipas OKB, mbi 5 mijë civilë janë vrarë që nga nisja e protestave në mars të vitit të kaluar.

Katari ishte vendi i parë arab që iu bashkua operacioneve të NATO-s në Libi, që cuan në rrëzimin e liderit libian, kolonelit Muammar Gaddafi.

Gjithashtu, ky vend ka ngritur zërin për shtypjet e dhunshme të protestave nga presidenti Bashar al Assad në Siri dhe presidenti Ali Abdullah Saleh në Jemen.

Situata në Siri vazhdon të jetë e tensionuar. Tanke dhe trupa ushtarake hynë gjatë natës në qytetin kufitar Zabadan, pas protestave masive të mbajtura kundër presidentit Assad.

Ushtria bombardoi qytetin, por sipas raporteve të aktivistëve, ajo hasi në rezistencën e pjesëtarëve të Ushtrisë për Lirinë Siriane, që ka mjaft influencë në këtë zonë.

Ndërkohë, dhjetëra mijëra vetë morën pjesë në tubime mbështetëse për grupin e dezertorëve që kërkon të rrëzojë Assad nga pushteti.

Figura të rëndësishme opozitare thanë se Zabadani ishte izoluar dhe se komunikimet ishin ndërprerë. Sipas të njëjtave burime, nga bombardimet e ushtrisë mbetën të vrarë 12 civilë, tre prej tyre fëmijë.

Top Channel