Kombëtarja, prezantohet Gianni De Biasi

19/12/2011 00:00

Është prezantuar në zyrat e federatës shqiptare të futbollit, trajneri i ri i përfaqësues sonë Xhani De Biasi.

Edhe pse në një periudhë shumë të vështirë për skuadrën tonë kombëtare, italiani ka mbërritur me entuziazmin për të bërë dicka të mirë me skuadrën tonë e të fusë një frymë të re pune, pavarësisht se kjo është eksperienca e tij e parë si trajner i një përfaqësueseje.

“Jam krenar që jam zgjedhur për të drejtuar një përfaqësuese si e juaja. Përfaqësuesja e një vendi që po rritet nga cdo këndvështrim. Por përgjegjësia është e madhe. Detyra ime do të jetë që të rris sa më shumë nivelin e skuadrës. Duhet të sjell një mentalitet të ri në mënyrën se si do të punohet. Premtimi që mund të jap unë sot është se do të jap gjithcka nga vetja, do të punoj fort, duke u përpjekur që të arrij objektivat bashkë me ndihmësit e mi me shpresën që të mund të vendosim në lëvizje të gjithë futbollin shqiptar”, tha De Biasi në deklaratën e parë.

Sigurisht që presidenti Duka vec kërkesave që i ka bërë trajnerit ka marrë parasysh edhe mungesën e elementëve të rinj në përfaqësuesen tonë, ai më mirë se edhe trajneri, momentalisht, kupton se sa e rëndësishme është që të gjenden elementët e duhur për të zëvendësuar ata që u tërhoqën si Lala, Skela, Duro apo ndoshta edhe Bogdani. Gjithsesi me statusin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit ai kërkon edhe rezultate vec ristrukturimit.

Përpara ndeshjes së parë miqësore që De Biasi do të drejtojë përfaqësuesen sonë 71 ditë më pas me Gjeorgjinë, ai ka bërë të ditur se deri në atë periudhë do të organizojë disa grumbullime e ndeshje miqësore për të parë nivelin e lojtarëve që luajnë në kampionatin tonë, e padyshim për të përzgjedhur disa elementë që do t’i duhen më pas për eliminatoret e botërotit të vitit 2014, ku vendi ynë është në grup me Norvegjinë, Zvicrën, Slloveninë, Qipron dhe Islandën.

Top Channel