Eurozonë, vazhdon të shtrenjtohet huamarrja

24/11/2011 15:45

Kriza e Eurozonës është duke e bërë më të shtrenjtë huamarrjen për të gjithë vendet që përdorin monedhën e përbashkët, përfshi dy ekonomitë më të mëdha të kontinentit, atë gjermane dhe franceze.

Më parë gjatë javës, interesi për borxhin 10-vjeçar gjerman u rrit me gjysmë përqindje, duke kapur nivelin e 2,21%. Edhe më shqetësues fakti që gjatë të mërkurës, kërkesa në bursa për letrat me vlerë gjermane, me vlerë totale prej 3,6 miliardë eurosh, ishte relativisht e ulët.

Ekonomia gjermane, së bashku me atë franceze, është themeli mbi të cilën është ngritur e gjithë Eurozona. Megjithatë, edhe kjo e fundit ka vuajtur nga shtrenjtimi i shpejtë i huamarrjes. Letrat me vlerë, me afat 10-vjeçar të kthimit të borxhit, që Parisi zyrtar nxorri në shitje të enjten kapën edhe ato një interes rekord, prej 3,71%.

Sipas ekspertëve, një tendencë e tillë nuk shkaktohet nga zhvillime negative në këto dy ekonomi, por si rrjedhojë e rënies së besimit të investitorëve në nivele jashtëzakonisht të ulta. Aktualisht, dy superfuqitë europiane janë duke vuajtur më shumë vështirësitë e vendeve të treta, se sa problemet e brendshme.

Ndërkohë, letrat me vlerë të ekonomisë së tretë më të madhe të kontinentit, asaj italiane, kapën interesa mbi normën e rrezikshme të 7% gjatë nëntorit. Huamarrja është më e kushtueshme se sa standarti i sigurisë edhe për Greqinë, Spanjën, Portugalinë apo Irlandën.

Top Channel