Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Europian mbështeti me shumicë votash propozimin e Komisionit për të ndryshuar rregulloren e vizave.
Përmes të ashtuquajturës klauzolë sigurie, Komisioni, sipas propozimit të bërë në maj të këtij viti, kërcënon me rikthimin e përkohshëm të vizave, në raste emergjente, kur një apo disa vende anëtare të BE-së ankohen për fluksin e lartë të emigrantëve apo te azilkërkuesve të rremë nga një shtet i posacëm që përfiton nga procesi liberalizues i vizave Shengen.
“Ky është një mekanizëm i ri që ne propozojmë. Ne shpresojmë që kjo të përdoret si “masë e fundit”, sic e quajmë ne. Nëse asgjë tjetër nuk ka ndihmuar për të përmirësuar situatën, ne mund t’a marrim në konsideratë këtë klauzolë sigurie. Deri më sot nuk është përdorur një masë e tillë, pasi nuk ka ekzistuar”, tha Zv/Shefi i Njësisë mbi Politikën e Vizave në KE, Diederik Paalman.
Drafti i Komisionit konsideron për alarm rritjen e menjëherëshme në nivelin 50% të numrit të azilkërkuesëve të refuzuar, ose të numrit të shtetasve që qëndrojnë ilegalisht në një vend anëtar të BE-së, gjatë një periudhe prej 6 muajsh, krahasuar me gjysmën paraardhëse të vitit.
Kjo llogjikë nuk mbështetet nga socialdemokratët dhe liberalët, por gëzon mbështetjen e të djathtës europiane, grupimit PPE, i cili qeveris dhe pjesën dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së.
“Ky propozim i Komisionit nuk synon ndonjë vend të posacëm, pra as Shqipërinë dhe as ndonjë vend tjetër specifik të Ballkanit dhe kjo është e rëndësishme që të kuptohet. Ky është një propozim gjenerues i Komisionit, për t’i mundësuar Komisionit dhe vendeve anëtare që të rivendosin detyrimin për viza, nëse do të ketë një fluks të papritur azilkërkuesish, ose të emigrantëve ilegalë, ose mosrespektim të ndonjë kriteri tjetër sic parashikon propozimi. Në parim, Komisioni propozon që kjo të bëhet nëpërmjet përqindjes, pasi kjo do të na mundësojë neve që të jemi më fleksibel për të vepruar shpejt, në rastet e situatave emergjente”, shtoi Diederik Paalman
Përdorimi i përqindjes nuk favorizon vende të tilla si Shqipëria, që kanë numër relativisht më të ulët azilkërkuesish, por që rezulton në përqindje më të lartë se vendet e tjera të rajonit.
Në rast abuzimi, përmes klauzolës së sigurisë, Komisioni mund të rivendosë regjimin e vizave për 6 muaj, pas informacionit të marrë nga shërbimi diplomatik, FRONTEX, dhe agjensia europiane e azilit.
Kjo periudhë mund të përsëritet, e në përfundim të saj, rishqyrtohet mundësia për liberalizimin eventual të regjimit, ose kalimin e shtetit abuzues në listën e zezë të BE-së.
Në 29 nëntor, pritet të shprehet Komiteti i cështjeve të Brendshme, Lirisë dhe Sigurisë dhe në fillim të vitit 2012 eurodeputetët pritet t’a votojnë atë në seancë plenare.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel