Aleanca kundër importit të plehrave

23/10/2011 15:15

Një grup intelektualësh dhe shoqatash nga shoqëria civile, mes tyre edhe ish-presidenti Alfred Moisiu, kanë shpallur krijimin e Aleancës Kundër Importit të Plehrave “AKIP”.

Qëllimi kësaj aleance është ndalimi importit të plehrave në Shqipëri duke kërkuar eleminimin e nenit 49 të ligjit për menaxhimin e mbetjeve të integruara I miratuar disa javë më parë në parlament me votat e mazhorancës dhe kundërshtimin e fuqishëm të deputetëve të opozitës.

“Lejimi i këtyre importeve bie ndesh me strategjinë kombëtare për zhvillim të qendrueshëm, shpesh flitet edhe për zhvillim të turizmit nga qeveritë tona dhe ligje të tilla bien ndesh me këto objektiva që janë shpallur strategjike dhe kombëtare nga vetë qeveritë që ia aprovojnë këto ligje”, deklaroi analisti Blendi Kajsiu.

Aktivistja Kozara Kati nga grupi shqiptar i të drejtave të njeriut tha se ky nen i ligjit është një shkelje makabre e të drejtave të njeriut. Ndërsa studiuesi Ardian Klosi foli për rëndësinë e një rezistence kundërshtuese qytetare të këtij ligji, njësoj sic ndodhi me kundërshtimin qytetar për shëmbjen e Piramidës.

Publicisti Fatos Lubonja ka hedhur paralelizma me regjimin e Enver Hoxhës i cili nuk pyeti askënd, kur ndërtoi metalurgjikun e Elbasanit apo azotikun e Fierit.

“Nëse Sali Berisha do të merrte një vendim për familjen e tij, për oborrin e tij, ai nuk do të bëntë këtë që bëri për shtëpinë e madhe, nuk do të lejonte që ta bënte oborrin e familjes vendi ku hidhen plehrat e komshiut. Ka shitur gjithcka dhe tani, meqë nuk ka më të ardhura për të mbajtur pushtetin, thotë hajde hidh plehrat në oborrin tim, por më jep ca para”, deklaroi analisti Fatos Lubonja.

Grupi nismëtar i Aleancës kundër imprortit të plehrave nuk e ka përjashtuar mundësinë së drejtuarit  Gjykatës Kushtetuese për ligjin në fjalë madje edhe për nismën për mbajtjen e një referundimi kombëtar.

Top Channel