Siri, 31 të vrarë nga autoritetet

10/10/2011 15:25

Të paktën 31 persona u vranë të dielën në Siri, raportuan mëngjesin e sotëm grupime humanitare me qendër në vendin arab.

”Human Rights Watch”, informoi se në përleshje kanë mbetur viktima 14 viktima dhe 17 antar të forcave qeveritare.

Shtatë prej qytetarëve u qëlluan në qendër të qytetit të Homsit. Bilanci i lartë midis efektivave të ushtrisë dhe policisë nuk është shkaktuar nga kthimi i zjarrit, por nga ekzekutimi në vend i ushtarëve që kanë refuzuar të qëllojnë mbi njerëzit e pambrojtur.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, bilanci tragjik i revoltave në Siri ka kaluar më shumë se 3 mijë viktima. “Në Homs u krijua një skenar i vërtetë lufte, ndërsa dëgjoheshin gjithëfarë shpërthimesh, nga mortajat, tek mitrolozët e rëndë”, deklaroi një pjestar i një organizate humanitare, i ndodhur në vendngjarje.

Një javë më parë, një rezolutë që dënonte dhunën e ushtruar nga regjimi autokratik i Bashar al-Assad ndaj qytetarëve të tij, u bllokua në OKB nga vetoja ruso-kineze. Të dy superfuqitë u shprehën kundër rezolutës, për shkak të dyshimeve të tyre se Uashingtoni dhe vendet europiane po përpiqeshin të organizonin një ndërhyrje tjetër sipas skenarit libian.

Top Channel