Vrasja e gjyqtarit, Halimi: Dëshmitarë dhe prova

09/09/2011 19:50

Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi ka vizituar pasditen e sotme familjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili humbi jetën në një atentat me eksploziv sot në qytetin e Vlorës.

Duke folur për mediat pas vizitës, Halimi ka deklaruar se është takuar me grupin hetimor, i cili sipas tij po punon me intensitet dhe është në rrugën e duhur.

“Pak minuta më parë takova grupin hetimor, konstatova se grupi po punon në mënyrë të shkëlqyer, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të së drejtës, policisë kriminale dhe Krimeve të Rënda. Mora garancinë se hetimi do jetë i shpejtë dhe efikas dhe se përgjegjësit do të bien në prangat e ligjit”, ka deklaruar Halimi. 

“Ajo që është e rëndësishme është se nuk është një krim i përsosur, se ka prova, ka dëshmitarë që po flasin dhe autorët do të dalin para ligjit”, ka nënvizuar ai.

Ministri i Drejtësisë ka shtuar më tej se ka garantuar familjarët e gjyqtarit për vënien e drejtësisë në vend, si dhe u ka ofruar hetuesve mbështetjen e qeverisë.

Ndërkohë, personi që jep informacion për autorin ose autorët e vrasjes do të marrë një shpërblim prej 100 mijë euro.

Shuma në fjalë është caktuar nga drejtoria e policisë së Vlorës, e cila ka vendosur edhe dy numra telefoni në dispozicion të informatorëve: 069 41 02 355 dhe 069 41 05 397

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA