Bashkëshortja shtatëzënë e kryetarit të bashkisë së Kavajës, Griselda Roshi është rrëmbyer dje pasdite, rreth orës 19.15, në zonen e Komunës së Parisit në Tiranë. (UPDATE)
Sipas burimeve familjare, ajo pasi ka pirë një kafe me një mikeshë të sajë në një lokal, i është drejtuar një taksie për të lëvizur drejt shtëpisë së prindërve të saj.
Griselda kishte ardhur në Tiranë pasi ditën e premte priste të lindte. Sipas familjarëve, teksa ajo ishte duke ecur drejt taksisë, një fuoristradë me xhama të zinj ka ndaluar përpara saj dhe nga makina kanë dalë 3 burra të armatosur që e kanë futur me forcë në makinë.
Aty ata e kanë rrahur, kërcënuar dhe e kanë cuar në një tjetër vend, të parapërgatitur, ku vec tre burrave kanë qenë të pranishëm edhe disa të tjerë, madje edhe gra.
Sipas burimeve familjare, në ato momente Griselda është rrahur dhe goditur me tytë kallashnikovi dhe ka humbur ndjenjat. Kur ka riardhur në vete, ajo mban mend t’i jetë injektuar një serum dhe disa momente më pas ka lindur.
Për shkak të hemoragjisë shumë të madhe, Griseldës i kanë ndërruar edhe rrobat dhe në orën 3.45 të mëngjesit e kanë marrë sërish me fuoristradë duke e hedhur nga makina rreth 50 metra larg shtëpisë në Kavajë.
E gjakosur dhe e rrahur, Griselda është zvarritur deri në shtëpinë e saj, pa fëmijën e sapolindur që ka mbetur në ambjentin ku Griselda është mbajtur peng dhe dhunuar për më shumë se 6 orë.
Ajo është tashmë në gjendje të rëndë psikologjike dhe nuk di të thotë se kush ishin autorët e rrëmbimit, vendin ku lindi e detyruar fëmijën, apo vendndodhjen e foshnjës.
“Unë nuk di c’të them, këtë nuk ka kriminel që ta bëjë. Ajo është e sfilitur. Nuk kemi fjalë ta shprehim”, tregon një komshi i familjes. “Nuk duhet ta bënin, ata janë njerëz të mirë dhe këtë nuk e meritonin”, shprehet një tjetër.
Forca speciale të policisë ndodhen aktualisht në shtëpinë e ciftit dhe po kryejnë hetimet e nevojshme, ndërsa bashkëshorti i saj, kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi, është detyruar të kthehet nga Italia pasi ka marrë vesh lajmin tragjik.
Ndërkohë, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë ngritur një grup të posacëm për hetimin e ngjarjes. Grupi kryesohet nga prokurori Henrik Ligori dhe përbëhet nga agjentë të policisë kriminale.
Para shtëpisë së familjes Roshi ndodhen shumë të afërm dhe shumë banorë të Kavajës, të tronditur jashtëzakonisht nga ngjarja e rëndë.
Top Channel