Rama: PS, gjerdan fitoresh; Basha: Besoj tek fitorja

09/05/2011 22:35

Kryetari i PS, Edi Rama ka vlerësuar atë që e ka quajtur “gjerdanin e fitoreve” të Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale. Në një konferencë për shtyp të mbajtur para pak castesh, Rama ka përshëndetur fitoren e arritur sipas tij në zona që vite më parë konsideroheshin bastione të PD.

“Fitoret e sotme kanë qenë spektakolare dhe gjerdani vazhdon të zgjatet. Falenderoj publikisht të gjithë fituesit dhe do të doja të fokusohesha tek ata të një sërë bashkish, duke e nisur nga fituesi i Fushë Krujës. Jam i bindur që qytetarët kanë bërë një investim të sigurtë për Gjon Bardhin. Gjithashtu përshëndes fitoren në Divjakë, Gjirokastër, Këlcyrë, Memaliaj, Gramsh, që deri më sot janë mbajtur pa asnjë sukses nga rivalët e dështuar, si dhe në Ballsh, Tepelenë, Ersekë, Krumë, Përmet dhe surprizën në Himarë”, ka deklaruar Rama.

Sipas liderit të opozitës, PS ka fituar gjithashtu në Pogradec, Elbasan, Lushnje, Korcë dhe në vecanti në Lac, “pas një ndasie 20-vjecare”, si dhe në disa komuna të Shkodrës.

“Nesër do të kemi fitore të tjera”, ka shtuar Rama, i cili ka denoncuar si “të shëmtuar e të turpshëm” rrethimin që sipas tij po i bëhet Tiranës dhe Durrësit nga njerëzit e rivalëve politikë.

Basha: Besoj tek fitorja

Ndërkohë, kandidati demokrat Lulzim Basha, në një dalje publike menjëherë pas asaj të rivalit të tij, ka kritikuar palën tjetër për zhvlerësimin që sipas tij po u bën rezultateve zyrtare, që sa vinë e ngushtohen.

Basha ka bërë thirrje për durim deri në përfundimin e numërimit, duke shprehur bindjen në fitoren e tij.

“Është zhgënjyes zhvlerësimi i rezultateve nga pala tjetër në zona ku favorizohet PD. Ka 180 mijë vota për t’u numëruar, që duhet të numërohen me transparencë. Bazuar në të dhënat që po konsolidohen cdo orë, kam besim në konfirmimin e fitores së shumëpritur në Tiranë”, ka deklaruar Basha.

Kandidati demokrat ka shprehur mirënjohjen e tij për numëruesit dhe vëzhguesit, që sipas tij kanë bërë një punë plot përkushtim në këtë fazë të rëndësishme të procesit.

“Falenderoj komisionerët demokratë për durimin e treguar në qendrat e votimit që favorizojnë Partinë Socialiste”, ka shtuar Basha.

Top Channel