Takim sekret Shqipëri-Greqi

12/04/2011 20:20

Vrasja e Aristotel Gumës dhe çështja çame ishin dy nga pesë temat që u diskutuan gjatë një takimi të fshehtë diplomatik mes autoriteteve greke dhe atyre shqiptare, të mërkurën e kaluar në hotelin “Dulak” të Janinës, në Greqi.

Duke përfituar edhe nga greva katër ditore e mediave vendase nuk u bën publike emrat e përfaqësuesve shqiptarë, por vetëm fakti se ata janë shoqëruar në Janinë nga ambasadori grek në Tiranë Nikolas Pazios.

Ndërsa pala greke u përfaqësua nga zëvendësministri i Jashtëm, Dhimitris Dholis, shefi i Shërbimit Kombëtar të Informacionit, Kostas Bikas dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Lefteri Ikonomu.

Numri dy i diplomacisë greke ka shfaqur ndaj autoriteteve shqiptare shqetësimin e qeverisë së tij për rezultatin e hetimeve të specialistëve shqiptarë lidhur me vrasjen e homogjenit Aristotel Guma.

“Greqia – ka thënë Dholis – mban të hapura të gjitha opsionet në lidhje me veprimet e saj në të ardhmen për këtë çështje”, duke theksuar se ajo ishte dënuar nga e gjithë bota politike në Shqipëri.

Një deklaratë kjo e përsëritur edhe nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Grigoris Delavekoras disa ditë më parë.

Gjithashtu diplomati grek i është referuar edhe sfidës së fundit të çamëve, siç e ka quajtur ai përpjekjen e tyre për të festuar në Igumenicë përvjetorin e genocidit të të parëve të tyre, duke i dhënë mesazhin palës shqiptare se Greqia nuk do të tolerojë akte të tilla provokuese.

Ndërsa nga ana e drejtorit të policisë greke u është kërkuar autoriteteve shqiptare bashkëpunim përsa i përket trafikimit të madh të lëndëve narkotike në kufijtë e dy vendeve apo tregtisë së paligjshme të antikave.

Sipas burimeve të TCH, në këtë takim është propozuar nga pala greke dhe ndërtimi i një burgu modern në Shqipëri i cili do të sponsorizohet nga Athina.

Burgu do të ndërtohet në një zonë që do të zgjedhë pala shqiptare dhe atje do të dërgohen shumë prej të burgosurve shqiptarë në Greqi, madje edhe ata me dënime të rënda.

Në përfundim të takimit që është mbajtur tepër sekret, nuk është bërë asnjë deklaratë për shtyp nga palët pjesëmarrëse.

Top Channel