Arvizu: Duam zgjedhje të mira

10/03/2011 19:45

Ambasadori amerikan Alexander Arvizu, gjatë vizitës së tij në qytetin e Kukësit ka bërë një tjetër apel për zgjedhjet vendore të tetë majit.

Ambasadori Arvizu ka deklaruar se zgjedhjet e fundit të 2009-ës kanë patur probleme, prandaj ka kërkuar një tryezë të dy partive për të bërë rregullimet që zgjedhjet e majit të evitojnë parregullsitë.

“Unë dua të them se shumë prej nesh janë jashtëzakonisht të zhgënjyer që të dyja partitë kryesore nuk kanë patur asnjë dialog gjatë gjithë kohës që kanë përfunduar zgjedhjet e 2009-ës. Mendoj se opinioni i njerëzve dhe popullit për zgjedhjet e vitit 2009 është se pati disa probleme teknike, por në mënyrë të përgjithshme këto zgjedhje ishin të mira. Por, ka patur probleme. Kishte disa cështje, të cilat pas këtyre zgjedhjeve kishin mundësi të diskutoheshin më vonë dhe kjo kohë kur ato mund të diskutoheshin ka kaluar. Unë mendoj se ka akoma vend për t’u ulur dhe diskutuar”, ka deklaruar Arvizu.

Ai ka ritheksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë të gatshëm të japin asistencën e tyre, por ka nënvizuar se duhet të jenë palët shqiptare që të hedhin hapin e parë.

“Sigurisht, nga ana e Shteteve të Bashkuara ne jemi gjithmonë të gatshëm, por mendoj që nëse ekziston dëshira e mirë për këto cështje, për këto probleme të diskutohen dhe të zgjidhen, edhe komuniteti europian është gati të ulet në tryezë dhe të diskutojë gjëra specifike të cilat kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemeve që ne po themi”, është shprehur Arvizu.

Në vijim të deklaratës së dhënë edhe nga presidenti i vendit për zgjedhje që do bëhen sipas parashikimit të Kushtetutës, ambasadori ka vijuar më tej:

“Dua të theksoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kushtetuta të respektohet. Para disa ditësh presidenti doli dhe tha se, ‘do të ketë zgjedhje në maj, ashtu sic është parashikuar në Kushtetutë’. Dhe kjo duhet të respektohet. Ne po flasim për Kushtetutën dhe vendimin e popullit. Nuk mund të thuhet dhe të themi ‘jo, nuk do të bëjmë zgjedhje’”, ka nënvizuar Arvizu.

Pavarësisht apeleve të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar, situata ka mbetur ende e pandryshuar, ndërkohë që edhe KQZ ndodhet në ngërc, duke funksionuar vetëm me anëtarët e mazhorancës.

Top Channel