BE dhe PE: Mbështesim prokurorinë

02/02/2011 20:10

Top Channel zbardh pjesën dërrmuese të debatit me dyer të mbyllura për Shqipërinë, mes të dërguarit të posacëm të BE-së, Miroslav Lajcak dhe anëtarëve të Komitetit të Jashtëm dhe të delegacionit për Europën juglindore në Parlametin Europian.

Burime konfidenciale nga brenda këtij takimi i kanë përcjellë TCH
shpjegimet e Lajcak pas vizitës së javës së kaluar në Tiranë,
shqetësimet dhe cilësimet e eurodeputetëve dhe përgjigjet e Lajcak për
këto të fundit.

Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Ballkanin në PE: Përshkallëzimi i situatës dëmton progresin e Shqipërisë drejt BE-së. Ndërmjetësimi i Parlamentit Europian, negociatat përmes socialdemokratëve dhe partive popullore europiane, drejtueseve diplomatikë, të gjitha u zbehën. Nëse situata vijon kështu, kjo do të cojë në një ndalesë të progresit drejt BE-së. Kjo ndalesë duhet të përcillet mirë në mesazhet e familjeve politike. Ne e duam Shqipërinë, por udhëheqësit duhet të zbatojnë ligjin. Ata kanë përgjegjësine për të ndalur konfliktet, në kuadër të institucioneve demokratike. Dhuna duhet dënuar, duhet investiguar mbi vrasjet dhe nuk duhet bërë presion ndaj prokurorisë. Demokracia është një sistem i brishtë, por nëse udhëheqësit e minojnë atë, është vërtet keq dhe nevojitet një veprim i menjëhershëm dhe i fortë.


Miroslav Lajcak, drejtor menaxhues për Ballkanin në BE
: Situata politike është e bllokuar prej mëse një vit e gjysmë. BE ka reaguar menjëherë me deklarata e veprime. Unë kam biseduar me liderin e opozitës Rama dhe kryeministrin Berisha. U takova dhe me zotin Topi. Zhvillova një takim të shkurtër informues me kreun e misionit të BE-së atje. U shpjegova se për BE-në shqetësimi është i madh. I duhet dhënë fund dhunës dhe duhet investigim i plotë, duhet respektuar shteti ligjor dhe se të dy liderët ndajnë përgjegjësinë për këtë. Hapat për një riangazhim drejt një dialogu për të zgjidhur ngërcin politik janë të vegjël. Gjithësesi, të tre mirëpritën vizitën, por të gjithë janë nervozë, të hidhëruar dhe emocionalë.

Sipas Lajcak, situata në Shqipëri është tensionuar, pasi të gjitha institucionet ndodhen nën sulmet e kryeministrit.


Lajcak
: Presidenti Topi është i frustruar, pasi ai është sulmuar si institucion. Nëse dëshirohet, ai mund të luajë një rol më të fortë. Kryeminstri Berisha, nga ana tjetër, qëndroi i rrethuar për 5 orë. Për të situata ishte e rrezikshme dhe garda veproi sipas rregullores, duke bërë punën për të mbrojtur shtetin ligjor. Për liderin e opozitës Rama, ky regjim i vjetër abuzon me pushtetin. Ai është i gatshëm për dialog dhe kërkon ndihmë nga jashtë. Impakti i kësaj vizite është se është rritur përshtypja se dicka duhet bërë. Nevojitetet që Shqipëria të kthehet në rrugën europiane, por nevojitet dhe unitet qëndrimesh me SHBA-të.

I dërguari i posacëm i BE e vlerëson si shumë “të vështirë” situatën dhe nuk e përjashton ardhjen sërish në Tiranë për të ndikuar në zgjidhjen e saj.


Lajcak
: Situata duket e vështire dhe e pashpresë, në lidhje me marrjen në pyetje të gardistëve, me konferencat publike për shtyp. Ashton më thotë: “Lajcak, shko prapë. Evito humbjen e jetëve dhe përshkallëzimin e dhunës. Atje nevojitetet shtet ligjor, ndërkohë që liderët nuk kanë as idenë sesi t’i flasin njëri-tjetrit”. Gjithësesi, Shqipëria qendron lartë në axhendën e BE-së. Në maj duhet të ketë përmbushje të plotë të standarteve për zgjedhjet lokale. Duhet punuar ngushtë me autoritetet lokale. BE ka treguar se është e interesuar dhe e angazhuar plotësisht në Shqipëri, në mënyrë të paanshme, por detyra e institucioneve atje është të punojnë mbi themelet demokratike.  
 

Libor Roucek, zv.president i PE
: Provoni përsëri, e përsëri. Sillini ata rreth një tryeze ku të jetë i përfshirë edhe komuniteti ndërkombëtar.
 

Marietje Schaake, eurodeputete holandeze e grupit liberal
: A biseduat me shoqërinë civile? Komisioni hetimor u përcaktua nga kryeministri, ndërkohë që duhet të jetë i pavarur. Ndërsa rezoluta u miratua vetëm nga partia në pushtet. A po shkon Shqipëria drejt Tunizisë? Kjo kulturë politike vazhdon prej dekadash, ndërsa tani duan zgjidhje nga ne. Duhet të mbajmë qëndrim të paanshëm.


Charles Tannock, eurodeputet britanik, konservator
: Historia Sali-Rama nuk solli asgjë. Të shtënat ilustrojnë keqkuptimin e shtetit ligjor. Ata janë në NATO. T’ju vijë turp.


Adrian Severin, nënkryetar i grupit S&D
: Shpikja e grushtit të shtetit nuk është surprizë, është zinxhir i pafund krizash. Konkluzionet e Lajcak nuk përmendën se kur është mjaft duhet të themi mjaft më. Nevojitet qëndrim më i fortë.


Jelko Kacin, eurodeputet slloven liberal
: Unë nuk bie dakort mbi progresin. Po shpenzojmë gjithë mandatin për të sjellë vendin në udhën e duhur. Kjo krizë vë në pikëpyetje zgjerimin e mëtejshëm. Greva e urisë nga opozita nuk ishte demokratike, por as të shtënat me armë zjarri nuk kontribuojnë ndaj demokracisë. Sulmet fizike dhe kërcënimet ndaj prokurorisë duhet të ndalohen, këto nuk janë vlera në demokraci, nuk janë vlera europiane.
 

Victor Bostinaru, nënkryetar i Delegacionit për Ballkanin
: Duhet evituar zgjidhja e njëanshme. Parlamenti Europian duhet të vlerësojë mundësine për dialog. Të “ngrihet” liberalizimi i vizave nëse palët nuk flasin me njëra-tjetrën.
 

Tanja Fajon, eurodeputete sllovene, S&D
: Situata është kritike dhe e rrezikshme për rajonin. Në mënyrë kategorike duhet të këtë hetim nga institucionet e pavarura, gjë të cilën Berisha duhet ta lejojë, por së fundmi ka kërkuar listat telefonike të të gjitha këtyre institucioneve dhe gazetarëve. Kjo duhet vënë në dukje gjatë bisedimeve në Tiranë.
 

Lajcak
: Për ne nuk duhet të ketë më gjakderdhje. Institucionet duhet të funksionojnë sic duhet. Njerëzit kanë të drejtë të demonstrojnë. Berishës ia bëra të qartë se duhet dëshmuar puna dhe funksionimi i institucioneve. Hetimet janë të nevojshme për të mësuar të vërtetën, pasi palët tregojnë histori krejt të ndryshme mbi atë cfarë ndodhi. U kam treguar liderëve që të mos vazhdojnë të shkatërrojnë vendin, por të rinisin dialogun normal politik. Ne do t’i ndihmojmë. Unë nuk besoj se politikanët nuk janë të interesuar për progres demokratik dhe të gjitha partitë politike duhet të jenë në Parlament. Nuk bisedova me shoqërinë civile dhe as nuk e kam takuar prokuroren e përgjithshme, por me misionin e BE-së jemi në kontakt të përditshëm. Ata duhet të luftojnë bashkë për statusin kandidat dhe celjen e bisedimeve për anëtarësim. Hetimet duhen bërë nga institucionet ne vend dhe për këtë nuk ka plan B. Oferta jonë është perspektiva europiane dhe që ata të koordinojnë politikën e jashtme me ne. Nuk jam dakort për qëndrim të sertë, por për sjellje pro-aktive ndaj politikanëve, duke iu thënë se do t’ju ndihmojmë nëse silleni në mënyrë europiane, si dhe që të punojnë fort që zgjedhjet lokale të arrijnë standartet europiane.

Ndërkohë, TCH vërejti se në një vizitë jozyrtare dhe të paparalajmëruar, ministrat Genc Pollo dhe Edmond Haxhinasto, para takimit të eurodeputetëve me Lajcak, informuan në ambientet e Parlamentit Europian përfaqësues të Partive Popullore Europiane mbi situatën në vend.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel