Ndryshohet raporti i Dick Marty

25/01/2011 17:00

Me 166 vota pro, 8 kundër, 14 abstenim, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi rezolutën “Investigim për pretendimet mbi trajtimin johuman të njerëzve dhe trafikun e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”. (UPDATE)

Me përjashtim të ndryshimit të këtij titulli, që kishte marrë dhe bekimin e autorit Marty, të gjitha amendamentet e propozuara nga delegacioni shqiptar në komisionin e ligjeve u rrëzuan gjatë pasdites në seancën e votimit.

“Është një sukses i madh që ndryshuam titullin e raportit se nga akuza për trafik organesh, tani do të kemi të bëjmë me pretendime për trafik organesh, ku edhe pala shqiptare është e interesuar që të ketë investigim”, është shprehur në emër të delegacionit shqiptar, Kastriot Islami.

Ai foli për mediat “në emër të delegacionit shqiptar” pasi në këtë ditë të gjithë shqiptarët ishin bashkuar, jo vetëm socialistët e demokratët brenda sallës plenare të Asamblesë, por dhe ata jashtë ndërtesës së Këshillit të Evropës, ku protestonin qindra shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme.

“Gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi pasur një koordinim të raportit të Dick Marty, sepse kjo afekton të gjithë shqiptarët pavarësisht se kush është sot në pushtet apo në opozitë, kush është në protestë apo në anën tjetër të barrikadës”, deklaroi Islami.

Raporti i Dick Marty dëshmoi se edhe në rastin kur shqiptarët janë të bashkuar, në rastin kur nuk mbështeten nga shtete të fuqishme, zëri i tyre është mospërfillës.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel