Çelet Panairi i Librit “Tirana 2010”

11/11/2010 21:05

Cilësuar si festë e përvitshme e librit, është çelur në Pallatin e Kongreseve edicioni i 13-të i Panairit Mbarëkombëtar të Librit “Tirana 2010”.

Ishin 3 personalitete e letrave shqiptare që zyrtarizuan hapjen e këtij panairi, duke formësuar kështu trekëndësin Prishtinë-Shkup-Tiranë, ata janë Sabri Hamiti, Kim Mehmeti dhe Aurel Plasari. Letërsia e botuar në të gjitha trevat shqiptare bëhet bashkë në këtë ngjarje të madhe kulturore që mbahet në Tiranë prej vitit 1998.

Të pranishëm çdo vit në stendat e këtij panairi janë emrat më të zëshëm të letrave shqipe, duke mundësuar kështu një komunikim me lexuesit i cili vetëm më kësi eventesh mund të jetë kaq intensiv. Sabri Hamiti, i ardhur nga Prishtina enkas për çeljen e Panairit, e cilëson këtë si një aventurë.

“Të gjithë ata që janë sot dhe do të vijnë në ditët në vazhdim do të hyjnë në një aventurë të njohjes nëpërmjet librit. Ne mendojmë që me këtë panair Tirana bëhet qendër kulturore”, u shpreh Hamiti.

Ndërkaq një tjetër intelektual, shqiptar Kim Mehmeti pasi e cilëson trekëndëshin e shqiptarëve tanimë funksional, ndalet edhe tek koha kur shqiptarët e Maqedonisë, si edhe ata të Kosovës lexonin fshehurazi shqip.

“Trekëndëshi kulturor Tiranë-Prishtinë-Shkup ka filluar të funksionojë dhe më vjen mirë që ne shqiptarët po kuptojmë që ne jetojmë në shtëpi të ndryshme, por kopshtin kulturor e kemi të përbashkët dhe së bashku duhet të kujdesemi për të”, theksoi Mehmeti.

Ndërsa Aurel Plasari, pohon se janë shkrimtarët ata që mbi gjithçka kanë një mundësi të mirë për të qenë sa më pranë lexuesve të tyre: “Është mirënjohje e madhe nga ana e autorëve që kjo ushtri e madhe e kulturës organizon edhe ngjarje të rëndësishme historike për librin, siç janë panairet.”

Panairi i 13-të i librit “Tirana 2010” do të qëndrojë i hapur deri më 15 nëntor. I organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, në të marrin pjesë mëse 80 subjekte botuese dhe lexuesit do të kenë mundësi të takojnë shkrimtarët e tyre të preferuar shqiptarë, ndër ta Ismail Kadare, por edhe të përfitojnë librat me çime 20-30 % më të ulët.

Top Channel