Në internet mund të gjendet praktikisht çdo gjë. Sekrete të publikuara online, zbavitje, punë personale, idiotësi dhe gjenialitete nga më të ndryshmet dhe më të pafundmet e në pararojë të këtyre funksioneve qendron faqja “Youtube”.

Mirëpo më pak se dy javë më parë një video e publikuar pa shumë pretendime, po bëhet qendra e debatit, për vizitorë të zakonshëm të faqes, ekspertë të gjithëfarlloj fushash, gazetash me famë dhe prestigj, pra një infektim global.

Kjo video flet për premierën e filmit të Charlie Chaplin “Cirku”. Xhirimi ndodh ne Hollywood dhe pamjet janë lehtësisht të gjindshme tek dvd-ja e filmit. Në plan të dytë një grua futet në kuadër dhe shikoni ç’po bën.

Zonja në video duket sikur po flet në cellular dhe po flasim për vitin 1928.

Kjo video ka bërë dhe më skeptikët të heshtin, ndërsa më të entuziazmuarit kanë vërshuar në komente. As ne nuk i shpëtuam kuriozitetit dhe për të mbajtur qendrimet tona thirrëm ekspertët në fushë. Zamir Kokonozi, kineast dhe ekspert i analizës së imazhit ishte para nesh në dijeni të videos.

“Është diçka shokuese sidomos me pamjen e parë. Mbase regjisori Charlie Chaplin mund të jetë nisur nga një ide e imitimit të një telefonate, duke qenë se ka qenë një regjisor shumë krijues dhe ëndërrimtar”, thotë Kokonozi.

Krahas tij në ndihmën tonë erdhi edhe historiani i njohur Moikom Zeqo dhe prezantimi me këtë video për të ishte mbi të gjitha një kënaqësi.

“Mund të ketë disa pista të kuptueshmërisë. Një do të ishte mundësia e një falsifikimi të ndërhyrjes në një film të vjetër, gjë që është e përjashtueshme sepse në një film të vjetër nuk ka asnjë motiv për të bërë një gjë të tillë. Ajo që ka ngjallur kuriozitetin botëror është që kjo të kujton pozicionin e mbajtjes së një celulari dhe ajo që më bën përshtypje është problemi i dorës. Ajo është e hapur dhe duket qartë se mban një send. Nuk mund të jetë një xhest i tillë në periudhën e mesjetës, as në fillimin e shekullit të 20”, shprehet Zeqo.

Ndoshta udhëtimi në kohë është një situatë abstrakte dhe përgjithësisht ëndërrimtarët mund të shpenzojnë kohë duke fantazuar mbi temën.

Profesor Kokonozi bëhet shumë i vlefshëm për kërkimin tonë teksa analizon çdo fraksion imazhi pasi na tregon që me teknologjinë e kohës nuk ekzistonte mundësia e manipulimit.

“Unë e ripash videon disa herë dhe duke u nisur nga disa detaje të vogla, mendoj se ka mundësi të jetë një spekulim mbi imazhin. Përpara se të dalë personi që flet në celular është një burrë që kalon i cili ka fytyrën të maskuar. Pra një si tip maske përpara dhe poshtë kapeles ka një si tip fashoje të bardhë shumë të vogël. Në momentin që ai kalon në gjysmën tjetër të ekranit ajo bëhet komplet e zezë, duket sikur është hija e kapeles që ai mban. Ky ishte një detaj që më bëri të dyshoj, plus detaji tjetër është zebra dhe pozicioni i hijeve. Hijet e personave që kalojnë pas saj është më e gjatë se ajo zebrës”, shpjegon Kokonozi.

Për shumë kohë kjo video do të ngjallë pikëpyetje dhe kuriozitet e ka një mënyrë shumë të mirë për të qenë të sigurt për faktin.

“Kam idenë se ajo lloj enigme është nga ato që në mënyrë shteruese nuk do të zbulohet asnjëherë. Ka disa enigma të historisë së qytetrimeve që të vënë në mendime. Akoma edhe sot mgjithëse shkenca ka ecur në mënyrë të veçantë, ndërtimi i piramidave të Egjiptit për atë periudhë aq të lashtë është e pakonceptueshme. Mendja jonë nuk i koncepton këto gjëra, sepse jemi mësuar me gjëra të prekshme dhe të kufizuara”, shpjegon Zeqo.

Dikush duke folur në cellular, udhëtim në kohë, alien, montazh, fantazi e çmendur apo një e çmendur me fantazi, zgjidhni të preferuarën tuaj.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel