Letra e DASH, përgjigje për Metën

13/08/2010 19:40

Top Channel siguron kopjen orgjinale të letrës së mbërritur në tavolinën e ministrit të Jashtëm Ilir Meta, ku që në hyrje të saj ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon shkruan se ajo është një përgjigje e letrës së dërguar në fund të muajit maj nga vetë kreu i diplomacisë shqiptare në Departamentin e Shtetit.

Objekt i letrës së ministrit Meta dhe i përgjigjes së zotit Gordon, sic shihet qartë, ka qenë pikërisht ambasadori amerikan në Tiranë, John Ëithers dhe qëndrimet e tij.

“I dashur zoti ministër! Sekretarja Clinton më ka dërguar mua një kopje të letrës suaj të 27 majit mbi ambasadorin tonë në Tiranë John Withers dhe më kërkoi mua të përgjigjem në emër të saj. Shqipëria është një partner i fortë dhe i vlefshëm dhe ne vlerësojmë shumë mbështetjen për politikat e përbashkëta në rajon dhe në mbarë botën. Sekretarja dhe unë kemi besim të plotë te ambasadori Withers dhe në punën qe ai po bën për të cuar përpara marrëdhëniet tona dhe ndihmën për Shqipërinë në realizimin e potencialit të saj të plotë. Përkushtimi i tij ndaj idealeve të demokracisë dhe shtetit ligjor përgjatë 26 vitesh shërbimi të shquar kanë luajtur rol thelbësor në arritjen nga ana e Shqipërisë të anëtarësimit në NATO dhe respektimit të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO”, thuhet në letër.

Nga sa shihet, që në hyrje të saj, ndihmëssekretari amerikan i shtetit tregon se ka patur një letër të mëparshme të zotit Meta, ku qeveria shqiptare ankohej për qëndrimet e zotit Withers, e specifikisht me emërimet në Gjykatën e Lartë, të cilat preken më poshtë në letër, sic është bërë publike nga Top Channel në ditët e kaluara.

Në këtë mënyrë rrëzohen pretendimet se nuk ka patur një letër ankese ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë, sikurse edhe konfirmohet vërtetësia e pasazheve që Top Channel publikoi, ku administrata amerikane në Uashington konfirmonte mbështetjen për të gjitha qëndrimet kritike të përfaqësuesit të saj diplomatik në Shqipëri.

Po kështu rrezohet tymnaja e krijuar nga mazhoranca gjatë këtyre muajve, pas daljeve të forta publike të ambasadorit amerikan, se qëndrimet e zotit Withers ishin personale të tijat dhe jo qëndrimet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Top Channel