Këtë vit më pak pushues

03/08/2010 16:30

Numri i pushuesve në këtë sezon turistik në vendin tonë ka rënë ndjeshëm. Operatorët turistikë në plazhet më të njohura të vendit, shprehen të pakënaqur për këtë vit, pasi nuk po frekuentohen më si vite më parë.

Ata nuk dinë të shpjegojnë nëse kriza ekonomike është faktori kryesor, por fajësojnë strukturat shtetërore për mungesën e investimeve në infrastrukturë.

Në plazhin e Durrësit këtë vit ka rënë edhe numri i pushuesve kosovarë e maqedonas të cilët e kanë patur Durrësin si stacionin e tyre të preferuar për pushimet verore.

“Nga Shqipëria nuk ka aq shumë, edhe të ardhurit nga Maqedonia janë më pak dhe nuk shpenzojnë. Ndoshta është kriza, por edhe rrugët nuk janë të rregullta”, thotë një operator turistik.

“Puna e krizës, problemet e shumta që ka Durrësi, menaxhimi më i mirë. Ne akoma nuk kemi rrugë dhe ujë, ndërkohë që njerëzit duan më të mirën”, thotë një tjetër operatore.

Asfaltimi i rrugëve që të çojnë drejt plazheve në jug të vendit thonë operatorët turistikë ka bërë, që bashkatdhetarët të frekuentojnë plazhet e Vlorës dhe Sarandës, por në fakt sipas korrespondentëve tanë edhe në këto plazhe ka nje rënie të dukshme të pushuesve.

Plazhet e Radhimës, Dhërmiut, Himarës, Borshit përfshirë këtu Saranda dhe Vlora ku pritej që të paktën në muajin gusht të ishin të tejmbushur, vihet re e kundërta.

Pronarët e hoteleve apo familjarët që lëshojnë dhoma me qera, kanë mbetur të zhgënjyer pasi nuk kanë patur prenotime si vitet e kaluara. Një ndër arsyet kryesore sipas pushuesve janë çmimet tepër të larta si për fjetjen, por edhe për ushqimin.

Në Dhërmi një shishe ujë 500 mililitër shitet me 200 lekë, duke prodhuar një fitim 10-fish tek uji pa llogaritur pijet freskuese apo peshkun. Fjetja një natë në kabinat e plazhit në Dhërmi është 60-70 euro ku shpesh nuk të sigurohet uji i ngrohtë, pak më të ulëta janë çmimet në dhomat e familjarëve të cilat variojnë 30-50 mijë lekë nata.

Por edhe në plazhe të tjera abuzohet në mënyrë të pakontrolluar me çmimet ndaj pushuesve. Kjo ka bërë që shqiptarët të preferojnë më shumë plazhet jashtë Shqipërisë ku me të njëjtën kosto, operatorët turistikë të huaj ofrojnë dhe lux.

Top Channel