Kompjuteri dhe sajtet e shumta të informimit dhe komunikimit elektronik kanë bërë që bota të jetë fare e vogël. Në pak sekonda një fotografi dhe një informacion mund të përhapet në të gjithë globin falë avancimit të teknologjisë.

Falë sajteve si Facebook, miliona njerëz komunikojnë njëherësh mes tyre nga njeri cep i globit në tjetrin. Por teknologjia ka edhe telashet saja.

Elektronika ka armiqtë e saj, që nuk janë vetëm viruset, por edhe hakersat. Ata janë të aftë të kopjojnë dhe zbulojnë fjalëkalimet e email-eve e adresave të tjera dhe mund të manipulojnë informacionin që u kalon të tjerëve, duke kanosur e kërcënuar, duke fyer e ofenduar nga adresa të panjohura.

Ky është krimi kibernetik, lloji më i ri i krimit i cili ka diktuar hapjen e një zyre të veçantë edhe në Shqipëri.

Hergis Jica është shef i seksionit kundër krimeve kompjuterike në policinë e Tiranës. Ai thotë se para hakersave thuajse jemi të pambrojtur, por nëse kërkon një pasword të sigurt ai duhet të ketë 12 karaktere dhe jo vetëm me shkronja, por edhe numra dhe shenja pikësimi.

Por edhe ky duhet ndërruar çdo ditë, gjë të cilën pakkush e bën. Dhe për pasojë denoncimet ndaj kërcënimeve dhe fyerjeve në internet janë shtuar së fundi.

“Çdo person mund të kryejë një vepër të caktuar në krimet kompjuterike me anë të programeve që thyejnë kodet. Shpesh herë adresat e email-it që mund të thyhen kodet, mund të bëhen nga administratori i rrjetit”, thotë Jica.

Mes kallzimeve të shumta policia ka në dorë edhe raste të përdorimit të identitetit të personave të tjerë në adresën e Facebook-ut.

“Ne Facebook ka pasur raste kur është përdorur identiteti i tyre në formën e talljes. Zakonisht kjo bëhet nga persona që mund te kene pasur konflikte më përpara”, shpjegon Jica.

Zyra e krimeve kompjuterike ka kryer operacione të njohura për goditjen e grupit që klononte karta bankare ku u arrestuan 17 persona të implikuar në mëse 400 raste të vjedhjes se bankave si dhe operacioni “Konkord” i cili shkatërroi një grup personash për mashtrim kompjuterik të cilët kishin arritur të vidhnin mbi 100 mijë euro.

Top Channel