
Zv.ministri i Punës, Kastriot Sulka, sqaroi dje se strategjia ka në fokus të saj shtetasit shqiptarë të kthyer në kuadër të Marrëveshjes së Ripranimit KE-Shqipëri dhe marrëveshjeve dypalëshe të ripranimit që Shqipëria ka nënshkruar me vende të tjera, ose përmes formave të tjera të kthimit të detyruar dhe vullnetar.
Duke u ndalur në përmbajtjen e këtij dokumenti, Sulka vuri në dukje se, “politika që po ndiqet për shqiptarët e rikthyer ka qëllim sigurimin e një kthimi të qëndrueshëm për ta, përmes lehtësimit të procesit të riintegrimit, duke synuar minimizimin e kostove të migracionit, maksimizimin e përfitimit dhe nxitjen e kontributit të emigrantëve për zhvillimin ekonomik të vendit”.
Emigrantët shqiptarë sot në botë vlerësohet të përbëjnë rreth 27.5% të popullsisë së përgjithshme dhe 35% të popullsisë aktive.
Motivi i emigrimit në 99.99% të rasteve ka qenë për punësim. Pavarësisht formave të kthimit vullnetar apo të detyruar, të kthyerit mund të klasifikohen si investitorë të mundshëm, emigrantë të kualifikuar ose pa profesion pas kthimit.
