“Skënderbej”, devijohet trafiku

11/04/2010 16:20

Bashkia ka nisur fazën e dytë të punimeve në sheshin “Skënderbej”, duke i shtrirë ato përreth sheshit, përpara Pallatit të Kultures, Muzeut Kombëtar, Bankës së Shqipërisë dhe në lulishten pas monumentit të Gjergj Kastriot Skenderbeut. (UPDATE)

Kjo fazë e re punimesh do të kufizojë trafikun përreth qendrës të Pallatit të Kulturës dhe Muzeut Kombetar, në fillim të Rrugës së Kavajës dhe para Bankës së Shqipërisë.

Tashmë qarkullimi i automjeteve do të orientohet në Unazën e Vogel pjesërisht, në rrugën pas muzeut duke vazhduar pas Bankës së Shqipërisë duke u lidhur nëpërmjet urës së re mes pallateve Shallvare dhe pallateve Agimi, me dy senset e unazës.

Rruga Dëshmorët e 4 shkurtit do të bëhet me dy kalime. Ndërkohë bllokimi i një pjese të sheshit, përpara Pallatit të Kulturës do ta devijojë trafikun pas tij dhe do të ndryshoje kahun e qarkullimit të automjeteve edhe në rrugën “Qemal Stafa”, pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ku automjetet do të lëvizin vetëm në drejtim të unazes drejt rruges Bardhyl.

Punimet do të bëjnë që të hiqen parkimet në rrugën Mine Peza, përpara selisë së PS-së dhe rrugës Dëshmorët e 4 shkurtit.

Kryetari i Bashkisë, Rama i ka konsideruar mjaft të vështira dhe të rëndësishme punimet në infrastrukturën nëntokësore ndaj ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve.

“Do të fillojmë të menaxhojmë në mënyrë të ndryshmë trafikun rreth dhe përmes sheshit, duke kaluar në pjesë të sheshit që do të bllokohen dhe pjesë të tjera që do të mbeten të hapura për trafikun. Dua të vë theksin tek nevoja e bashkëpunimit me qytetarët nevoja e pjesëmarrjes së të gjithëve nëpërmjet durimit dhe këmbënguljes që është i nevojshëm në këtë fazë”, tha Rama.

Kufizimi i qarkullimit në qendër do të bëhet në pjesë të veçanta për të mos krijuar kolaps.

Ndërkaq, kryetari i Bashkisë, Rama nuk ka dashur të polemizojë me qeverinë pas deklaratave publike të disa ministrave për ndërprerje të punimeve.

“Nuk dua të hyj në asnjë polemikë e kam thënë qysh në krye të herës dhe e përsëris, ky është një projekt madhështor, ambicioz, i ndërlikuar dhe këtu duhet bashkërendimi i të gjitha forcave. Çdo energji negative dhe destruktive nuk është në të mirën e kësaj pune që une e konsideroj një punë të përbashkët. Nuk kam asnjë arsye pse të bëhem pjesë e një polemike të ditës, që fillon me ditën dhe mbaron me ditën”, u shpreh zoti Rama.

Gjatë punimeve pranë monumentit të “Skënderbeut” është nxjerrë dhe pllaka e fundit e monumentit të “Stalinit”, i cili ishte vendosur aty para se të ngrihej monumenti i Heroit Kombetar, duke hequr edhe këtë gjurmë të fundit të nëndheshme të komunizmit.

Top Channel