Kreu i SIGAL-it surprizon. Zgjidhja për çdo sëmundje dhe sfidë ekziston. Ja cila është ajo sipas Avni Ponarit

09/04/2020 19:29

Në studion e emisionit “Top Talk” drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar me anë të një lidhje “Skype” presidenti i SIGAL UNIQA Group Austria Avni Ponari.

Gjatë fjalës së tij Ponari e vendosi theksin tek sigurimet, të cilat sipas tij janë çelësi i shpëtimit, në situata katastrofike, siç është dhe pandemia e COVID-19. Kreu i SIGAL, tha se ndërprerja e aktivitetit të biznesit mund të sigurohet në disa mënyra, dhe kompanitë e sigurimeve kanë detyrimin të mbulojnë pagat e punëtorëve si edhe fitimin e munguar.

Pra kjo bën që mbarëvajtja e biznesit të vijojë si normalisht. Për këtë ai ilustroi dhe një shembull. Rreth 100 vite më parë, një kompani austriake e birrës, u përball me një tjetër epidemi dhe që nga ajo kohë e deri më sot ata e kishin siguruar “Ndërprerjen e Biznesit”. Pra, si pasojë e situatës edhe ajo tashmë ishte detyruar ta ndërpriste aktivitetin e saj, por të gjitha humbjet e përllogaritura do të mbulohen nga kompania e sigurimeve.  Ndërkaq, Ponari shpjegoi dhe benefitet që përfiton një individ në qoftë se lidh një pension privat me kompanitë e sigurimeve apo  edhe sigurinë e jetës. Ai shpjegoi që të gjithë idividët që janë siguruar, ose me sigurinë e jetës, ose kanë lidhur pension privat, mund të përfitojnë të gjithë shumën e përfituar edhe nëse ndërrojnë jetë. Shumën e depozituar ndër vite, mund ta tërheqin familjarët, thotë Ponari.

Megjithatë, ai shprehet se kjo kulturë në vendin tonë është ende e panjohur dhe personat që aplikojnë këto lloj sigurimesh janë në përqindje fare të vogël.

Denis Dyrnjaja: Zoti Ponari, cili është roli i kompanive të sigurimit në një histori epidemie si kjo e COVID-19.

Avni Ponari: Denis gjithçka që është mbi këtë tokë është e sigurueshme, e kemi thënë dhe e kam thënë edhe më parë. Por ndryshimi është i tillë, Shqipëria ka vetëm 35 euro për frymë, ndërsa Evropa ka mbi tre mijë euro për frymë shpenzime për sigurime. Por kjo vjen nga e kaluara, tashmë e thënë disa herë, edhe nga kultura e qytetarëve shqiptar, ose më mirë shqiptarët janë lënë… siç ishte në disa shkrime të këtyre ditëve të fundit, gjithçka është lënë në dorë të zotit, dhe unë natyrisht jam edhe për këtë. Megjithatë njeriu duhet të jetë i kujdesshëm ndaj vetes dhe mbrojtjes së tyre. Pandemitë dhe epidemitë janë njëlloj si rreziqet e tjera katastrofike. Ato janë të sigurueshme, janë të mbulueshme nga industritë e sigurimeve sepse ka disa forma për t’i mbuluar ato. Natyrisht edhe ndërprerjet e bizneseve janë të sigurueshme. Edhe e drejta e punëmarrësve është e sigurueshme. Por kjo varet se sa e kërkojnë kompanitë e industirive të ndryshme dhe sa ata janë të ndërgjegjësuara për ta bërë këtë lloj sigurimi.

Denis Dyrnjaja: Kur flisni për këtë lloj mënyre sigurimi. Kur flisni edhe për ndërprerjen e punësimit, pra që mund të sigurohet edhe kjo. A ka raste të tilla në Shqipëri. Apo është thjesht si zë që e ka sigurimi, fjala vjen SIGAL në këtë rast.

Avni Ponari: Në historinë time 30-vjeçare në industrinë e sigurimeve kemi pasur vetëm një kompani, që ishte një kompani e huaj, e cila kishte të siguruar jo vetëm pasuritë e saj, jetën, shëndetin dhe gjithçka lidhet me të. Por kishte të siguruar edhe ndërprerjen e biznesit. Ndërprerja e biznesit është një sigurim shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për t’u siguruar, sepse ajo krijon vazhdimësinë dhe mundësinë për të vijuar njëlloj siç ka qenë më parë.

Denis Dyrnjaja: Le ta bëjmë më konkrete. Në qoftë se unë kam një sipërmarrje private dhe do të ndërpres aktivitetin. Çfarë më siguron një sigurimi në këtë rast, pagat e punonjësve, të gjithë fitimin, si veprohet?

Avni Ponari: Ajo është e përcaktuar, është e përcaktuar mjaft thjesht dhe me kujdes. Pra, rreziku i siguruar në rastin konkret, ka të bëjë me sigurimin e ndërprerjes së biznesit- natyrisht që kjo vjen pas rreziqeve bazë të sigurimit. Dhe ndërprerjen e biznesit që ka të bëjë me fitimin e munguar, pagat e punonjësve dhe është i përcaktuar limiti, deri në çfarë mase është ky kontribut apo mbulim, e cila vijon 1 milion deri në 10 milionë euro. Në varësi të kapaciteteve dhe fuqive financiare të kompanisë, e cila kërkon të sigurohet dhe rreziqeve që janë të parashikuara për t’u bërë. Tani, sa të interesuara janë kompanitë për ta bërë këtë dhe zakonisht kompanitë e mëdha, siç janë kompanitë prodhimi të energjisë elektrike, kompani prodhimi, siç janë fabrikat e mëdha që ndërprerja e prodhimeve rëndon. Natyrisht unë jam i bindur që të gjitha këto fabrika të mëdha, të prodhimit të automobilave, apo fabrikat të mëdha të prodhimeve të tjera në të gjithë botën, janë të siguruara. Dhe dëmet e kalkuluar nga risiguruesit sot për shkak të pandemisë janë të jashtëzakonshme. Pra janë fabrika që janë të detyruara ta bëjnë këtë dhe janë me histori shumë të rasta. E veçanta është të thuash se ndoshta një fabrikë birre që ishte në Austri, një nga më të mëdhatë, që kishte provuar para 100 vitesh një pandemi të tillë, ajo e bënte sigurimin vit për vit, duke përfshirë edhe vitin e kësaj pandemie. Pra, pavarësisht se është ndërprerë biznesi i saj në Austri, pavarësisht se ajo nuk punon, ajo i ka të përfituara pagat e punonjësve. Ka të përfituara edhe fitimin e munguar. Ka të përfituar gjithçka që është e lidhur me të gjithë prodhimin e saj sepse ajo ka parashikuar edhe ka përcaktuar qartë të gjitha detyrimet që duhet për të mbuluar dëmet e shkaktuara nga ndërprerja e biznesit të tyre.

Denis Dyrnjaja: Do të doja të shtriheshim në realitetin tonë. Nëse unë jam një individ që kam folur një sigurim jete, më përfshihet nëse vjen fjala vdekja nga COVID-19 në sigurimin e jetës.

Avni Ponari: Nëse do të kishim sigurim jete, natyrisht që të gjithë ata viktima do të përfitonin dëmshpërblimin sipas kontratës së sigurimit, sepse kjo është një rrezik i mbuluar. Fatkeqësisht në Shqipëri ne e dimë që vetëm 3-4 % e popullsisë e ka këtë lloj sigurimi dhe pjesa tjetër nuk e ka. Kur në botë nuk mund të mendohet që dikush mund të jetë pa sigurim jete dhe nuk mund të mendohet që dikush të mos ketë dy apo tre sigurime, sepse disa njerëz zgjedhin dhe kompani të ndryshe për të qenë të garantuar dhe siguruar me mbulime, për sigurimin e jetës në disa vende. Ajo që është e garantuar dhe për t’u theksuar është dhe tek sigurimi i shëndetit. Që është një element tjetër i rëndësishëm dhe që natyrisht që kompanitë e sigurimeve dhe SIGAL natyrisht që e ka të përcaktuar qartë, që mbulon të gjitha shpenzimet për të gjithë ata klientë, që do të kenë pasoja apo do të jenë dëmtuar nga pandemia COVID-19.

Denis Dyrnjaja: Një zë tjetër në fakt që po e mendoja tani teksa ju po flisnit është edhe pensioni privat. Nëse unë kam disa vite që paguaj pension privat por më ndodh që të humb jetën si pasojë e kësaj sëmundje. A e gëzojnë këtë pension privat familjarët e mi.

Avni Ponari: Absolutisht, i gjithë investimi i krijuar ndër vite, për të marrë pensionin privat dhe në rast se humbet jetën në kompanitë private, ai që e ka bërë investimin e përfiton të gjithë shumën e mbetur në ditën e humbjes së jetës. Pra familjarët e tij mund të vijnë dhe ta tërheqin të gjithë shumën, e cila është e investuar nga ai sepse ajo është e rritur ose ta lejojë atë të maturojë në data dhe afate të caktuara dhe mund ta tërheqë kur të dojë. Mund ta tërheqë edhe dikush tjetër, ta transferoi si pension tek dikush tjetër, ose ta kalojë si investim tek trashëgimtarët e tyre për ta marrë këtë vlerë siç duhet të jetë.

Top Channel