Covid-19/ Unioni grek i gazetarëve: Të mos pezullohen nga puna gazetarët, qeveria të subvencionojë punën e tyre

09/04/2020 10:50

Unioni më i madh i gazetarëve të Greqisë me qendër në Athinë, me një deklaratë drejtuar qeverisë i kërkon asaj subvencionimin e punës së tyre në mënyrë që mos pezullohen kontratat që gazetarët kanë me grupet mediatike.

“Media nuk është një degë e thjeshtë e ekonomisë. Ajo është një shtyllë e Demokracise , ajo garanton informacionin e saktë të qytetarëve, në kundërshtim me llumin e lajmeve të rreme dhe të falsifikuara, ajo i shërben interesit publik. Nënshkrimi i materialit gazetaresk siguron respektimin e etikës dhe vendos përgjegjësinë profesionale në të gjithë median e shkruar dhe elektronike. Nuk mund ta pranojmë të qarkullojnë gazeta me gazetarë – “fantazma”, me artikuj anonimë- thuhet në fillim të deklaratës.

Këshilli drejtues i unionit (ESIEA), duke marrë parasysh gjithshka që është legjislatuar nën gjendjen e jashtëzakonshme të pandemisë, propozon katër masa themelore, të cilat, nëse miratohen, do të mbajnë hapur mediat e vendit që po lëkunden nën presionin ekonomik, me masa mbrojtëse të mjaftueshme për të drejtat e punësimit të kolegëve gazetarë, por edhe për besueshmërinë e mediave.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë që të heqë masën e pezullimit të kontratave të punës, e cila, për fat të keq, është duke u përdorur në mënyrë abuzive nga shumica e punëdhënësve dhe të procedojë me një subvencion të përgjithshëm për punën. Nëse përfundon pozitivisht debati brenda institucioneve evropiane mbi subvencionet e punës, do të kompensohen kostot përkatëse buxhetore.

Bëjmë thirrje për shpërndarje të barabartë dhe transparente të shpenzimeve për reklama për nevojat e përballimit të pandemisë, në mënyrë që të mbështeten të gjithë mediat dhe të vazhdojnë të funksionojnë, për të mirën e informacionit dhe rruajtjen e vendeve të punës në këtë sektor. Masat e reja legjislative për forcimin e shtypit duhet të zbatohen menjëherë.

Duhet të merren menjëherë masa edhe për të ndihmuar gazetarët që kanë humbur punën dhe ata që mbahen “peng” në bizneset që janë drejt falimentimit. Kompensimi për një qëllim specifik, siç është dëshmuar për fat të keq në praktikë, nuk vlen për të gjithë, por të gjithë kanë nevojë për të.

Këshilli drejtues i Unionit do të përballet me çdo shprehje të arbitraritetit të punëdhënësit duke shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore dhe sindikaliste dhe rithekson se nuk do të pranojë që punonjësit e mediave të paguajnë pasojat e pandemisë-përfundon deklarata.

Top Channel