Top Talk: Biznesi i paqartë për paketën financiare të qeverisë, interesi i kredisë 3% shumë i lartë

08/04/2020 19:11

Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar me anë të një lidhje “Skype” Drejtori i Shoqatës së Industrialistëve Shqiptarë, Alban Zusi.

Gjatë fjalës së tij, Zusi tha se në këtë situatë të vështirë që po kalon vendi ynë si pasojë e koronavirusit, duhet të ketë dhe mbështetjen e qeverisë. Jam dakord, që bizneset të marrin kredi për të paguar punonjësit, nëse këto kompani nuk e kanë ndalur aktivitetin e tyre. Por, në qoftë se, thotë ai, këto kompani të marrin kredi dhe të paguajnë punëtorët që kanë qëndruar në shtëpi, kjo do t’i shkatërronte ata. Po ashtu ai foli edhe për normat e kreditimit bankar, që në vendin tonë është në masën 3%. Zusi u shpreh se kjo për vendin tonë është deri diku normale, por vendet e Evropës këtë shumë e konsiderojnë tepër të lartë. Ne duhet të ndjekim shembullin e Italisë, e cila ka një normë kreditimi bankar diku tek 1 %. Gjithashtu ai shtoi që qeveria shqiptare të implementoi masat e ndjekura nga qeveria italiane, për të kaluar këtë moment krize.

Deinis Dyrnjaja: Qeveria ndërkaq deklaroi se ka vendosur në dispozicion një fond emergjence prej 200 milionë eurosh. Dini gjë ju se ku është ky fond? Çfarë po bëhet me këtë fond? Ju pyes në cilësinë e përfaqësuesit edhe të grupit të interesit.

Alban Zusi: Deri në këto momente nuk kemi ndonjë informacion. Nesër na është anonçuar një video-konferencë me ministrin e Bujqësisë disa drejtues shoqatash. Shpresojmë që aty të kemi më tepër informacion. Ndërkohë na janë kërkuar opinione, ndoshta duhet të jetë dhe në kontekstin e masave për përdorimin e këtij 200 milionëshit. Por deri më tani nuk është se kemi një informacion të saktë në lidhje me këtë fond, se si do të shpërndahet dhe në çfarë drejtimesh do të jetë i orjetnuar.

Denis Dyrnjaja: A janë të mjaftueshme 100 milionë dollar, siç ka vënë qeveria si fond garancie për të kapërdirë pasojat e kësaj krize që ka tronditur tashmë nivelet e sipërmarrjes në Shqipëri ose të paktën ka vënë në panik të gjithë sipërmarrjen si atë të vogël si atë të madhe.

Alban Zusi: Si fazë e parë unë mendoj që këto mund të jenë të mjaftueshme. Por ajo që është e pamjaftueshme, është qartësia se si këto fonde mund të aksesohen. Unë njoh biznese që do të dëshironin  të askesoheshin në këto fonde, por ende nuk janë të qartë se çfarë duhet të bëjnë dhe si janë kriteret që duhet të plotësojnë. Si fazë e parë do të duhej që këto të bëheshin aktive dhe më pas ne të thonim janë apo jo të mjaftueshme.

Denis Dyrnjaja: Çfarë domethënie ka për ju propozimi i qeverisë që sipërmarrjet të marrin kredi për të deklaruar pagat. Sepse kryeministri deklaroi që ky 100 milionësh mund të përdoret nga kompanitë e mëdha për të marrë kredi për të paguar pagat e punonjësve.

Alban Zusi: Në qoftë se flasim për të marrë kredi, për të paguar pagat e punonjësve, ato biznese që nuk kanë likuiditet për momentin. Por punonjësit janë në punë. Janë duke prodhuar. Janë duke futur mall në magazinë. Atëherë në këtë kontekst padiskutim që ka shumë logjikë dhe është një masë shumë e mirë dhe shumë e mirëpritur. Por nëse flasim për të marrë kredi, për të paguar ato punonjës që rrinë në shtëpi. Atëherë kjo nuk ja vlen as që të diskutohet fare Denis, sepse kjo është masa më shkatërrimtare për biznesin dhe ekonominë.

Denis Dyrnjaja: Ndërkohë këta që janë në shtëpi janë njerëz. Janë njerëzit tanë. Ata nuk mund të përjashtohen nga e drejta e jetës, po themi në këtë rast. Pra që mund të mos paguhen që të mos ushqehen. Nuk ka vetëm kompani prodhuese. Ka edhe kompani të tjera të biznesit të madh, po themi mediat janë një zë. Po marr, për shkak se jemi pjesë e medias dhe atë njoh si strukturë. Ne nuk jemi një kompani prodhuese. Pra, që mund të magazinojmë dhe presim që ky produkt nesër të shitet dhe të akumulojmë dhe të lajmë borxhet etj etj.

Alban Zusi: Unë fola në fakt për kompanitë prodhuese. Por e njëjta logjikë vlen edhe për kompanitë e tjera të shërbimeve. Pra, që të paguhen punonjësit nga biznesi duke mos prodhuar diçka. Në këto kontekst e kisha, unë jo thjesht për të futur në një magazinë fizike. Kjo do të ishte shkatërrimtare për biznesin. Këtu duhet 100 % të ndërhyjë shteti. Nuk po them që të japë rrogën 100 %, po të paktën në masën 80%, për të mbuluar nevojat bazike, për të eliminuar tensionet sociale. Por t’ia ngarkosh këtë barrë bizneseve do të thotë që ti të ulësh në minimum deri në asgjësim aftësinë e këtyre bizneseve, për të qëndruar në treg në një të nesërme. Këto biznese mund t’i mbyllin dyert e tyre në fund të marsit, në fillim të prillit. Por kjo situatë nuk do të thotë që ato nuk mund t’i hapin përsëri dyert e tyre në maj, kur situate të normalizohet. Por në qoftë se ne i heqim çdo lloj resursi që ato kanë. Paguani para, pa shërbim, pa të ardhura, jo vetëm kompani prodhuese, por edhe kompani të tjera të shërbimeve. Në këtë rast duke qenë se mbyllja është e urdhëruar, është administrative. Nuk është një mbyllje tregtare. Absolutisht qeveria duhet të bëjë bilancet e saja dhe balancat e saja, se sa humbet dhe sa fiton duke i mbajtur punonjësit në shtëpi. Duke i thënë punonjësve nuk do të dilni në punë. Ky është një balancë i karakterit le të themi dhe filozofiko-ekonomik  që duhet ta bëj qeveria.

Denis Dyrnjaja: A i njihni ju termat e kredidhënies që ka vendosur qeveria dhe janë ato të favorshme, pasi shumica e vendeve që kanë vendosur një normë kreditimi kanë përcaktuar një normë interesi, jo më shumë se 1%, të paktën nga informacionet që kemi paraprake tek ne është 3%.

Alban Zusi: Unë personalisht kam një kredi tregtare të marrë para kësaj situate me normën 3 %. Ajo është kredi e marrë në kushte normale.

Denis Dyrnjaja: I bien që të jemi në kushte normale me këtë normë interesi, 3 %.

Alban Zusi: 3% është kredi tregtare le të themi e mirë në kushtet e Shqipërisë, jashtëzakonisht e keqe në kushtet e Evropës me të cilën ne duam dhe të konkurrojmë. Kur t’i thuash një partneri të huaj që unë e kam marrë kredinë me 3%, thotë çfarë është kjo kredi. Në Itali para kësaj situate kreditë ishin maksimumi me 1%. Ndërsa në situatën aktuale mos të gabohem i kanë me 0 normë interesi.

Denis Dyrnjaja: Ju sapo përmendët Italinë në fakt. Por Italia pezulloi grumbullimin e taksave me një vlerë 10 miliardë euro. Vuri në dispozicion një fond kreditimi 750 miliardë euro për sipërmarrjen. Thesari i shtetit do të mbroj bankat nga humbjet në masën 90% e kredive. Një lëvizje kjo që pritet të injektoj rreth 200 miliardë euro në ekonomi. Ndërkaq, shteti parashikon përmes garancisë e tij të mbulojë 100% të humbjeve të mundshme për kredi që nuk kalojnë 25 mijë euro. Çfarë ju thonë këto lloj masa?

Top Channel