Kriza e BE përballë Pandemisë/ Konferenca 16 orë përfundon me konflikt mes Veriut dhe Jugut

08/04/2020 15:31

Bisedimet e Bashkimit Evropian për të ndihmuar vendet jugore të eurozonës, të prekura rëndë nga pandemia e koronavirusit, kanë ngecur pas 16 orësh.

Banka qendrore evropiane thotë se bllokut mund ti nevojiten deri në 1.5 trilionë euro për të luftuar krizën. Ministrat evropianë të financave ishin pranë një marrëveshjeje por bisedimet u ndërprenë pas një përplasjeje mes Italisë dhe Holandës për mënyrën se si do të përdoreshin fondet e rimëkëmbjes. Negociatat sidoqoftë do të rifillojnë të enjten.

Italia dhe Spanja akuzojnë vendet veriore, me në krye Gjermaninë dhe Holandën, se nuk po bëjnë aq sa duhet. Në mesin e kësaj mosmarrëveshjeje, edhe kryeshkencëtari i BE, Mauro Ferrari, dha dorëheqjen duke cituar reagimin zhgënjyes të Brukselit ndaj pandemisë.

Italiani, tha në deklaratën e tij të dorëheqjes së një program i posaçëm që ai ishte përpjekur të vinte në punë për të luftuar virusin, ishte refuzuar. Italia, Spanja, Franca dhe vende të tjera të BE duan të ndajnë borxhet e lidhura me koronavirusin në formën e koronabondeve, borxhe të përbashkëta këto që vendet e BE duhet të ndihmojnë të paguhen. Një telekonferencë mes ministrave të financave të eurozonës për të diskutuar këtë temë, zgjati për plot 16 orë, por Italia refuzoi të tërhiqet nga kërkesat e saj. Kryeministri spanjoll, Pedro Sancez ka paralajmëruar ndërkohë se nëse BE dështon të dalë me një plan ambicioz për të ndihmuar vendet më të prekura, blloku mund të shpërbëhet. Edhe përpara dëmtimit ekonomik nga kriza, borxhi publik i Italisë ishte 133 për qind e GDP ose rreth 2.3 trilionë dollarë, më i larti në eurozonë, pas Greqisë.

Gjermania kërkon krijimin e një fondi shpëtimi evropian dhe hua përmes mekanizmave të ngritura gjatë krizës financiare të një dekade më parë. Këtë javë, një grup kryebashkiakësh italianë dhe politikanësh të tjerë, blenë një faqe të tërë në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung për ti kujtuar Gjermanisë se asaj nuk iu kërkua asnjëherë të paguante borxhet pas luftës së dytë botërore. Edhe në gjermani opinioni publik është i ndarë. Ekonomistët, politikanët dhe analistët, që dikur kundërshtonin ndarjen e borxhit të eurozonës për të shpëtuar Greqinë, gjatë krizës së fundit financiare, po kërkojnë që të ndodhë ekzaktësisht e njëjta gjë për të ndihmuar Evropën jugore të përballet me koronavirusin.

Top Channel