Top Talk: Pritshmëri negative për biznesin. Rregullat e reja pas Covid-19 do të çorodisin tregun imobilar

07/04/2020 19:10

Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar me anë të një lidhje “Skype” eksperti i shërbimeve imobilare Eglent Bici.

Gjatë fjalës së tij, Bici u shpreh se sektori i shërbimeve imobilare, sipas tij, është më i rrezikuari nga kjo pandemi e koronavirusit, pasi çdo fushë është e bazuar në një pronë të paluajtshme.

Ka shumë persona që jetojnë me qira  në Tiranë dhe janë me origjinë nga një tjetër vend, thotë Bici, të cilët aktualisht janë duke jetuar nëpër qytetet e tyre të lindjes dhe apartamentet apo bizneset që kanë marrë me qira, i kanë dorëzuar ose do t’i dorëzojnë dhe sipas tij, kjo gjë krijon “stok” apartamentesh.

Po ashtu, ka dhe shumë persona që janë gjendur në vështirësi nga kjo situatë, pasi kanë marrë kredi bankare, për të blerë një apartament dhe më pas i kanë dhënë me qira, për të mbuluar bankën. Gjithashtu ka edhe persona që kanë burimin kryesorë të të ardhurave, paratë që përfitohen nga objekti apo objektet, që kanë dhënë me qira, të cilët rrjedhimisht, si pasojë e situatës së krijuar, ndodhen në vështirësi financiare. Ndërkaq, eksperti i “frikësohet” ndryshimit që do të pësojnë bizneset pas kësaj pandemie. Duke aluduar se mund të merren masa në lidhje me organizimin e tavolinave nëpër lokale apo restorante. Restorantet apo lokalet që kanë pasur 40 tavolina, thotë Bici, me masat e reja do të jenë të detyruara të mbajnë vetëm 20.  Dhe si rrjedhojë të ardhurat e tyre do të pakësohen, ose do të jenë të  detyruar që për të mbijetuar, të rrisin çmimet e shërbimit.

Denis Dyrnjaja: Çfarë pritet të ndodhë në tregun imobilar këto kohë?

Eglent Bici: Ti the një nga fushat (i referohet shpjegimit të gazetarit Dyrnjaja në momentin që foli për fushat më të prekura si pasojë e koronavirusit), unë mendoj që është fusha. Pra, çdo gjë bazohet mbi një pronë të paluajtshme, çdo ndërtesë, çdo biznes edhe kështu me radhë. Unë mendoj që qeveria, por edhe bizneset duhet të mendojnë të jenë më të duruara dhe bashkëpunues, për sa i përket mënyrës sesi tregu imobilar do të funksionojë dhe do të ndryshojë gjatë ditëve dhe muajve në vijim. Unë mendoj që ka për të pasur shumë probleme.

Denis Dyrnjaja: Kur thua ka për të pasur shumë problem a mund t’i themi se cilat janë ato. Është shumë evazive: Ka për të pasur shumë problem. Çfarë konkretisht?

Eglent Bici: Në radhë të parë ne kemi shumë persona që jetojnë dhe punojnë në Tiranë, por ndërkohë nuk janë nga Tirana. Këto kohë ata kanë ikur në vendet e tyre të lindjes dhe gjasat janë që këto apartamente, që kanë marrë për të qëndruar me qira, i kanë lënë ose do t’i lënë. Nëse kjo situatë do të zgjasë për dy – tre muaj, ne do të kemi në Tiranë disa mijëra apartamente, mbase, të lënë pa qira. Të gjithë këta persona që i kanë këto prona të dhëna me qira, kanë marrë kredi, i kanë marrë sepse duan të ushqehen me ato, kjo është njëra.

E dyta kemi të gjithë industrinë e shërbimit sidomos për sa i përket restoranteve dhe bareve. Pra, çfarëdo që të ndodhi pas kësaj situate kur të mbarojë, pas 2 muajsh, 3 muajsh, 4 muajsh apo 5 muajsh. Nuk ka për të qenë njëlloj siç ka qenë më përpara. Pra, nuk ka për të pasur më atë lirshmëritë që njerëzit të jenë shumë komod të rrinë nëpër kafe apo restorante. Besoj që edhe qeveritë dhe Bashkimi Evropian të vendosin disa kritere për sa  përket largësitë midis tavolinave. Kështu që shumicës prej tyre nëse ia dalin dhe durojnë për tre apo katër muajsh që mund të vazhdojë kjo situatë. Ata do të duhet të falimentojnë sepse nuk iu del matematika.

Pra, dikush që ka pasur 40 tavolina do të duhet të ketë 20 tavolina tashmë, dhe nuk i del më logjika financiare, ose do të detyrohet të rrisë çmimet shumëzim për dy. Tjetër, janë të gjitha ato biznese të cilat në një farë mënyre kanë operuar duke pasur këto prona si një mënyrë investimi. Pra, bli, merr kredi nëpër sisteme bankare dhe jep me qira.  Të gjithë këta do të duhet të paguajnë kreditë bankare dhe këta nuk njihen tek pjesa e bizneseve apo atyre kredive, që qeveria ka thënë që këta do të tolerohen. Sepse janë individë apo kompani që operojnë vetëm në këtë mënyrë. Këto janë tre gjëra. Ndërkohë që të mos të flasim për të gjitha bizneset e tjera. Përveç atyre që deri sot kanë funksionuar dhe besoj do të funksionojnë, supermarketet, këta shërbimet e përdorimit të përditshëm. Ndërsa të tjerët unë mendoj që ka për të pasur një ndryshim, të gjithë mënyra që funksionon ekonomia dhe biznesi jo vetëm në Shqipëri, në mbarë botën.

Top Channel