Shuhet Radomir Antic, trajneri i 3 gjiganteve spanjolle

07/04/2020 12:10

Ish trajneri serb Radomir Antic humbet betejën me sëmundjen e rëndë që e kishte mbërthyer për një kohë të gjatë dhe ndërron jetë në moshën 71 vjecare.

Lajmi i hidhur i komunikua fillimisht nga Atletico Madrid që u pasua nga Barcelona e Reali i Madridit. Radomir Antic me një të kaluar si futbollist kaloi një pjesë të mirë të karrierës së tij si trajner në Spanjë që u shndërrua në atdheun e tij të dytë dhe është ndër të paktët teknikë që është ulur në pankinat e 3 të mëdhenjve të La Ligës, Atletico e Real Madrid dhe Barcelona.

I lindur në 22 nëntor të 1948, Antic që ka qenë mbrojtës si futbollist e nisi karrierën e tij te Sloboda për të kaluar më pas te Partizani i Beogradit me të cilin fitoi kampionatin jugosllav në 1976. Me kombëtaren jugosllave të asaj kohe nuk zhvilloi shumë ndeshje, ndërkohë që karriera vijoi jashtë kufijve të vendit të tij. në vitin 1984, Radomir Antic u tërhoq nga futbolli i luajtur dhe në 1985 u kthye në vendlindje për të marrë drejtimin e Partizanit të Beogradit duke fituar 2 tituj në 2 sezonet e tij të parë. Në 1988 shkoi në Spanjë ku qëndroi për 20 vjet me radhë.

Pasi coi Real Saragozën në UEFA në 1990, Antic mori drejtimin e Realit të Madridit duke zëvendësuar Di Stefanon, por në sezonin 1991/92 u shkarkua në fund të fazës së parë me Realin që ishte në krye. Më pas Antic kaloi te Oviedo për t’u kthyer sërish në Madrid, këtë radhë te Atletico me të cilin në sezonin e tij të parë në 1995/96 fitoi dy trofe. Te Atletico qëndroi deri në 1998, por më pas u kërkua 2 herë për të shpëtuar skuadrën duke ia dalë mbanë në 1999 por jo në vitin 2000.

Në vitin 2003 kaloi te Barcelona për të zëvendësuar në mes të sezonit Louis Van Gaal me katalanasit që ishin 3 pikë para zonës së rënies nga kategoria. Antic bëri një punë të mirë, por në atë vit në klub u mbajtën zgjedhjet të cilat i fitoi Joan Laporta që kishte të tjera ide. Pas Barcelonës Antic kaloi te Celta dhe në 2008 drejtoi përfaqësuesen serbe të cilën e kualifikoi për në Botërorin e 2010 ku u eliminua që në fazën e grupeve

Top Channel