Pikotaro i ‘Pen-Pineapple-Apple-Pen’/ Komediani japonez publikon këngë për larjen e duarve!

07/04/2020 14:49

Komediani japonez që u bë i famshëm në botë për hitin e tij të pakuptimtë, ‘Pineapple-pen’ e madje ka argëtuar me të edhe presidentin Donald Trump kur ky i fundit vizitoi Japoninë në 2017, është rikthyer me një mesazh të ri: Lani duart!

Komediani i njohur si Pikotaro, mori një çmim nga libri i rekordeve Guinness në 2016 për këngën e tij 45 sekondëshe “Pen-Pineapple-Apple-Pen” që u bë kënga më e shkurtër që ka mundur të hyjë ndonjëherë në Billboard Hot 100.

Dhe tani, ai rikthehet me një tjetër variant duke promovuar një larje duarsh siç rekomandohet, ndërkohë që bota përballet me pandeminë e koronavirusit.

Ai ka këmbyer vargjet e tij “I have a pen. I have an apple. Apple pen!” me fjalët: Kam një dorë, kam një sapun! Laj!laj!laj! Dhe në fund të klipit, edhe një lutje: Lutuni për njerëzit dhe paqen!

E në vetëm tre ditë, kënga ka mbledhur më shumë se 3 milionë shikime në youtube dhe faqja e twitterit, e komedianit, është mbytur me video të fëmijëve japonezë që qeshin dhe imitojnë vetë atë.

Top Channel