Kemi nisur në rubrikën e Vitrinës së Librit një kolonë me titullin ‘Librat që më bënë mua’.

Kjo është një mënyrë për të gwzuar në këto ditë të zymta karantinimi por dhe një mënyrë për t’i ardhur në ndihmë vetes dhe lexuesit nëpërmjet një forme tjetër alternative, vec leximit, dëgjuarit muzikë apo dhe ndjekjes së një filmi. Mendoj dhe besoj fort se është një mendim shumë frymëzues, për të luftuar të keqen, që sot ndihet më shumë se në një botë të lirë.

Ky do të jetë një koleksion i përsosur i disa personaliteteve publikë mbi atë cfarë librat kanë përcjellë në jetët e tyre. Nuk e di nëse kjo rubrikë mund të shkojë përtej kohës së karantinimit të të gjithëve, por një gjë e di me siguri. Kjo është një rubrikë që jashtëzakonisht në një kohë të ardhme do t’u shërbejë lexuesve të rinj për të mësuar mbi përvojat e leximit të secilit personazh – librat e tyre të parë, kujtimet e tyre të hershme, si janë bërë lexues të mirë dhe çfarë i bën ata lexues sot. Personazhi ynë i parë është:

Bashkim Shehu ka lindur më 1955 në Tiranë. Është një nga shkrimtarët shqiptarë të letërsisë bashkëkohore. Deri më 1981 punoi si skenarist në Kinostudion ‘Shqipëria e re’. Prej vitit 1997, ai jeton në Barcelonë. Aktualisht punon si këshilltar për Europën Lindore në Qendrën e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës. Është djali i ish- kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu.

M. S. Cilët janë ata libra që ndikuan në personalitetin tënd?

Bashkim Shehu: Ndoshta kanë qenë librat e Freud-it dhe të dishepujve të tij, libra që i kam lexuar në rini të hershme, pra në kohën kur fillon të formohet personaliteti. Ndërkohë, ndonëse teoritë e tij vazhdojnë të më pëlqejnë, jam çliruar nga “tirania” e tyre, si të thuash, dhe i shijoj më shumë si letërsi, ashtu siç mund të shijohet, për shembull, Dostojevski, apo edhe si filozofi, veçse në atë vështrim që Borges-i e quan filozofinë degë të fiksionit letrar. Nga ana tjetër, do të doja të përmendja autorët që ndikuan më shumë në formimin tim si shkriamtar. Kafka më së pari. Pastaj diçka më vonë Gogol, Joyce dhe sigurisht, Kadare. Dhe gjithashtu realizmi magjik latino-amerikan. Më vonë, dhe ndoshta më thellë, Borges dhe Danillo Kish.

M. S. Cili është libri që aktualisht po lexon..?

Bashkim Shehu: Është një rilexim: “Udhëtim në fund të natës”, nga Louis-Ferdinand Céline. Po e rilexoj ngase jam duke u përgatitur për një cikël leksionesh që do të jap gjatë vjeshtës këtu në Barcelonë.

M. S.: Po libri që të ndryshoi jetën?

Bashkim Shehu: Për çdo njeri do të ishte fatkeqësi e madhe po t’ia ndryshonte jetën një libër i vetëm. Danillo Kish, në tregimin Qentë dhe librat, që rrëfen sesi Inkuizicioni merr në pyetje një dijetar hebre lidhur me bibliotekën e tij, ku u gjetën shumë libra të ndaluar nga Kisha. Ky përgjigjet se shumë libra bashkë nuk janë të dëmshëm, po një libër i vetëm është i dëmshëm. Pra, me sa duket, aludon edhe për Biblën, për librin total. Por kjo vlen për çdo libër, nëse e kushtëzon apo e formon njeriun si libër i vetëm, sepse një gjë e tillë është vdekjeprurëse për lirinë e mendimit dhe për imagjinatën.

M. S.: Libri që të ndikoi më shumë për të shkruar ?

Bashkim Shehu: Janë shumë libra. Janë të autorëve që përmenda.

M.S. Libri që është mbivlerësuar më shum me pa të drejte? Si e keni përjetuar ju atë?

Bashkim Shehu: Një pjesë përherë e më e madhe e librave që kanë sukses në shitje janë të mbivlerësuar. Është diçka që e përjetoj si simptomë të një krize vlerash në kulturën e sotme.

M. S. Libri i fundit që ju ka bërë të qeshni?

Bashkim Shehu: Një libër me tregime nga Arben Dedja, Kulla e mishit.

M. S.: Libri që nuk ke arritur ta përfundosh?

Bashkim Shehu: Janë një mori librash të dobët, po edhe një mori librash të mirë apo shumë të mirë dhe të përkthyer keq.

M. S.: Libri që ju vjen shumë turp që se keni lexuar ende?

Bashkim Shehu: Kjo nuk mund të ndodhë. Askujt nuk ka pse t’i vijë turp nëse ka lënë pa lexuar një libër apo një tjetër. Në botë ka aq shumë libra me vlerë saqë jeta e një njeriu nuk mjafton për t’i lexuar të gjithë.

M. S. Libri më i hershëm që keni lexuar?

Bashkim Shehu: Nuk e mbaj mend. Me siguri ndonjë libër me përralla.

M. S.: Librin që jepni më shpesh si dhuratë?

Bashkim Shehu: Nuk di të kem dhuruar më shumë se një herë të njëjtin libër.

Top Channel