Eksperti i shëndetit publik Dasho: Masat aktuale të ezauruara, momenti të përdorim ato inteligjente

07/04/2020 22:16

Doktor Erion Dasho ndodhet në Shqipëri, ku po jep kontributin e tij ndërsa vendi po kalon një situatë të vështirë për shkak të pandemisë.

“Duhen masa inteligjente. Nuk mund të vazhdohet me të tilla masa, pasi ato janë të ezauruara. Tashmë ka ardhur momenti që në vend të përdoren ato që ne i quajmë masa inteligjente.

Nuk mund të trajtohen njësoj si popullsia në qendrën e Tiranës, ashtu edhe në periferi, nëpër fshatra. Vende si Norvegjia kanë nisur që të aplikojë masa inteligjente. Krijohen aplikacione, ku secili prej personave që mendojnë se kanë simptoma i hedhin ato në aplikacion. Më pas, ekipi shëndetësor, merr këto të dhëna.

Aty ku ka më shumë njerëz me simptoma, shkohet dhe bëhen testime. Aq sa shteti shqiptar ka mundësi.

Vetëm në këtë mënyrë, në mënyrë inteligjente mund të zgjidhet. Shteti shqiptar ndoshta i merr në konsideratë këto ide të miat. Sepse së fundmi do të përdorë telemjekësinë, një sugjerim që unë u bëra”, tha mjeku shqiptar, në emisionin “Open”.

Dasho punon në Gjermani si ekspert i Shëndetit Publik, por aktualisht është kthyer në atdhe, ku edhe po këshillon autoritetet për menaxhimin e situatës.

 

Top Channel